Rama takon Mitsotakisin, mesazhe të paqarta për qëndrimin grek për hapjen e negociatave

Rama takon Mitsotakisin, mesazhe të paqarta për qëndrimin grek për hapjen e negociatave

Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai grek Kiriakos Mitsotakis u takuan në Nju Jork, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku po marrin pjesë.

Ky është takimi i parë midis tyre, por nga komentet pas takimit, duket se nuk ka sjellë ndonjë zhvillim të rëndësishëm, veçanërisht në lidhje me hapjen e negociatave mes Shqiperisë dhe BE-së.

Kryeministri Rama nuk dha asnjë infomacion për përmbajtjen e bisedës, duke e përshkruar gjithë bisedën shkurt në Facebook si  “prezantim miqësor dhe bashkëbisedim të hapur”.

Nga ana e tij Mitsotakis, pohoi se kryeministrat folën për hapat e Shqipërisë drejt përmbushjes së kushteve të BE-së:

 “Biseduam [për] rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë dhe hapat drejt përmbushjes së kushteve të vëna nga BE-ja, duke u përqendruar te çështjet e minoritetit entik grek.”

Edhe pse vetëm rreth tre javë përpara vendimit të Këshillit Evropian më 18 tetor për hapjen e negociatve me Shqipërinë, duket se qëndrimi grek është ende i paqartë.

Greqia ka të drejtën e vetos në Këshillin Europian dhe ndonëse një gjë e tillë ka fare pak gjasa të ndodhë, qëndrimet publike të qeverisë së sapozgjedhur greke në lidhje me negociatat janë disi shqetësuese.

Sipas burimeve të qeverisë greke, të cituara nga eKathimerini, në takim Mitsotakisi theksoi çështjen e të drejtave të pronës dhe të “vetëvendosjes” për minoritetin grek në Shqipëri, ndërsa Rama u shpreh i gatshëm të bashkëpunonin për çështje në interesin e të dyja palëve. Është e paqartë se për çfarë lloji vetëvendosjeje bëhet fjalë.

Mitsotakisi ka mbajtur po këtë qëndrim edhe më herët, në opozitë dhe si kryeministër.

Para dy javësh, ai deklaroi se Greqia nuk do të mbështesë hapjen e negociatave me Shqipërinë deri kur qeveria të tregojë rezultate “të prekshme” në trajtimin e minoritetit etnik grek.

Kjo deklaratë ishte një ndryshim në politikën e jashtme greke, pas ardhjen në pushtet të qeverisë së re në korrik.

Edhe në mars, kur ishte në opozitë, Mitsotakis tha se donte t’i “dërgonte një mesazh të qartë qeverisë shqiptare” se negociata nuk do të hapeshin pa u respektuar të drejtat e minoritetit grek.

Ai e bëri këtë paralajmërim pas njoftimeve në media se qeveria shqiptare kishte përgatitur një projektligj, që synonte shpronësime në bregdet në interes të investimeve strategjike. Një pjesë e minoritetit grek në Shqipëri jeton përgjatë bregdetit jugor të vendit. Kundër këtij projektligji reagoi edhe qeveria greke. Qeveria shqiptare e pezulloi hartimin e tij.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>