Kryeministri Edi Rama deklaroi të premten zerimin e rreth 600 mijë eurove gjoba të vëna gjatë epidemisë muajin e fundit, por në këtë amnisti përfshihen vetëm gjobat ndaj këmbësorëve dhe jo ato të vëna ndaj bizneseve, apo ndaj atyre që thyen karantinën.
Në një deklaratë për shtyp, Rama u shpreh se kishte vendosur t’i “falë gjobat” e vendosura për qytetarët që shkelën këtë muaj oraret e lëvizjeve.
Sidoqoftë ai theksoi se duke filluar nga java tjetër vendosja e gjobave do të rifillojë nga e para dhe “do të jenë të pakthyheshme”.
“Ne sot kemi vendosur mos ekzekutimin e këtyre gjobave dhe kthimin e të gjitha patentave dhe të gjitha mjetet e bllokuara. Javën e ardhshme me hyrjen në fuqi të kodit të ri penal le të startojnë të gjithë të barabartë.”
Nga kjo deklaratë e Kryeministrit kuptohet se falja e gjobave nuk përfshin rastet e atyre që kanë thyer karantinën, kanë mbajtur hapur bizneset apo janë future pa leje në spitale.
Prej 17 marsit, kur nisën të zbatoheshin masat kufizuese të qeverisë, Rama tha se policia kishte gjobitur 7107 këmbësorë dhe kishte bllokuar 1941 patenta e leje qarkullimi makinash – sipas aktit normativ kush shkel kufizimet e lëvizjes, qoftë dhe si këmbësor, gjobitet dhe i bllokohet edhe makina, nëse ka,.
Mirëpo shifrat e deklaruara nga Rama nuk përputhen me shifrat e raportuara gjatë këtij muaji nga raportet ditore të policisë së shtetit.
Exit News ka përmbledhur këto shifra (kliko këtu për të parë raportin), ku rezulton se deri më 17 prill ishin gjobitur 7343 këmbësorë – 7295 me 10 mijë lekë dhe 48 të tjerë me 20 mijë lekë.
Në total policia vendosi mbi 74 milionë lekë gjoba, rreth 600 mijë euro, vetëm këmbësorëve.
Nëse përllogariten edhe 293 sipërmarrësit që shkelën kufizimet e aktiviteteve ekonomike, 13 qytetarët që shkelën karantinën dhe 1 tjetër që u fut në spital pa leje, totali shkon në mbi 112 milionë lekë, 917 mijë euro.