Raportet financiare të UKT-së dëshmojnë abuzime dhe shkelje ligjore

Raportet financiare të UKT-së dëshmojnë abuzime dhe shkelje ligjore

Ndermarrja e Ujësellës-Kanalizmieve të Tiranës (UKT) kontraktoi në fund të vitit 2015 firmën ndërkombëtare audituese Grant Thorton për të kryer auditimin dhe certifikimin e bilancit të UKT-së për vitin 2015.

raportin e auditit, të datës 17 korrik 2016, pasi ka renditur një sërë dokumentash që mungonin ose nuk ju vunë në dispozicion grupit të auditimit, Grant Thorton refuzoi të certifikojë bilancin duke u shprehur se “grupi ynë i punës nuk ka arritur të marrë ndonjë informacion shtesë për të hequr dyshimin mbi këto paqartësi të evidentuara më herët”.

Në botën normale, një vlerësim i këtij lloji do të çonte në shkarkimin e të gjithë atyre që kanë përgatitur të dhënat e bilancit. Nëse drejtuesit nuk do e bënin një gjë të tillë, ata do të diskretitonin emrin dhe besueshmërinë e kompanisë, pasi mos certifikimi i bilancit tregon se kompania gjendet në vështirësi financiare, dhe kërkon t’ua fshehë këtë fakt palëve të treta të interesuara.

Bërja publike e bilancit të një shoqërie shërben pikërisht për të mbrojtur palët e treta, ortakët në minorancë, furnizuesit, klientët dhe, në rastin e një kompanie publike si UKT, për informimin e publikut. Madje bilanci duhet të certifikohet nga një auditues i jashtëm profesionist për të garantuar se ai është përpiluar në mënyrë të saktë dhe përmban informacion të vërtetë mbi mbarëvajtjen financiare të shoqërisë.

Pra, vlerësimi i “mos dhënies së opinionit” i shprehur nga një auditues është një lloj dënimi me vdekje.

Nëse ekipi drejtues i shoqërisë, pasi merr vlerësimin “mos dhënie opinioni”, vendos të ndryshojë çertifikuesin, sikurse bëri UKT në fund të vitit 2016, atëherë kjo do të thotë se diçka me të vërtetë nuk shkon  mirë: ose certifikuesi i mëparshëm nuk është i aftë dhe duhet të largohet nga tregu, ose ndoshta certifikuesi kërkon të deklarojë atë që konstaton dhe jo atë që mund t’i kërkojë kompania të deklarojë.

Në fund të vitit 2016, shoqëria audituese Grant Thorton u zëvendësua me shoqërinë audituese Mazars, e mbështetur nga audituesi i pavarur Sokol Toska.

Por edhe Mazart dhe Toska janë treguar të matur dhe njësoj sikurse ndodhi me Grant Thorton, hartuan një letër çertifikimi për bilancin e UKT-së për vitin 2016 duke dhënë  “opinion me rezerva”, duke shprehur të njejtat shqetësime dhe ngritur të njejtat pika të referuara nga Grant Thorton, të cilat fatkeqësisht përfaqësojnë pjesën më të madhe të bilancit.

Ajo çfarë në të vërtetë habit është se as Asambleja e Ortakëve të UKT-së, as Administratori, as Bordi Drejtues i përbërë nga gjashtë anëtarë, as eksperti kontabël historik që ka 17 vjet që kryen bilancin e shoqërisë, nuk kanë përfshirë në proçesverbal ndonjë vëzhgim mbi auditimin e bilancit i cili fundos, për të dytin vit radhazi, çdo besueshmëri në drejtimin dhe gjendjen financiare të UKT-së.

Mesa duket atyre u mjafton që UKT ka dyfishuar shpenzimet dhe shpërblimet për udhëtimet e anëtarëve të bordit gjatë vitit 2016.

Mesa duket ata nuk besojnë, ose më keq akoma nuk i dinë, përgjegjësitë e tyre penale të parashikuara qartësisht në ligjet shqiptare.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>