Raporti botëror i konkurrueshmërisë në sektorin e turizmit: Shqipëria ngjit 12 vende

Nga Erblin Vukaj
Raporti botëror i konkurrueshmërisë në sektorin e turizmit: Shqipëria ngjit 12 vende

Në dy vitet e fundit sektori i turizmit në Shqipëri njohu rritje të konkurrueshmërisë në raport me vendet e tjera. Këtë nxorri në pah raporti i fundit i “Konkurrueshmërisë në Udhëtime & Turizëm”.

Krahasuar me raportin e vitit 2017 (vendi 98), Shqipëria ka ngjitur 12 vende duke shkuar e 86-ta mes 140 shteteve të marra në konsideratë.

Raporti mbi konkurrueshmërinë në udhëtime dhe turizëm publikohet çdo dy vite nga Forumi Ekonomik Botëror (FEB). FEB është organizatë ndërkombëtare jofitimprurëse me bazë në Gjenevë të Zvicrës, e cila ka objektiv përmirësimin e gjendjes ekonomike të botës duke rekomanduar axhenda investimesh.

Raporti bazohet në analizimin e të dhënave që vijnë nga Banka Botërore dhe Organizata Botërore e Turizmit. Analiza i bëhet politikave dhe faktorëve që ndikojnë në tërheqjen e investimeve më shumë se sa te niveli i atraksionit turistik si destinacion.

Vendet renditen sipas një indeksimi pikësh të konkurrueshmërisë nga 1 te 7 dhe indeksi kryesor nxirret nga tre nën-indekse që llogarisin: 1) kuadri rregullator, 2) mjedisi dhe infrastruktura e të bërit biznes, 3) burimet njerëzore, kulturore dhe natyrore.

Sipas raportit industria e turizmit në vendin tonë vlerësohet 3.6 (2017: 3.4; 2013: 3.2). Prej rajonit Shqipëria lë prapa Maqedoninë e Veriut (renditja 101; vlerësimi 3.4) dhe Bosnje Hercegovinën (renditja 105; vlerësimi 3.3) – Kosova nuk është marrë në konsideratë.

Sipas raportit të fundit, turizmi i rajonit tonë vazhdon të dominohet nga Greqia (renditja 25; vlerësimi 4.5) dhe Kroacia (renditja 27; vlerësimi 4.5) ndërsa Mali i Zi (renditja 67; vlerësimi 3.9) dhe Serbia (renditja 83; vlerësimi 3.6) janë më të konkurrueshme se sa Shqipëria.

Travel & Tourism Competitiveness/Profili i Shqipërisë.

Sektori i turizmit në Shqipëri punëson rreth 91,500 persona dhe qarkullon 1.9 miliardë dollarë. Aspektet që e favorizojnë investimet në turizmin shqiptar janë:

  • siguria (vlerësuar 5.8)
  • higjiena (vlerësuar 5.3)
  • çmimet konkurruese (vlerësuar 5.3)
  • burimet njerëzore (vlerësuar 5.1)
  • prioriteti i sektorit (vlerësuar 5)

Aspektet që nuk favorizojnë investimet janë gjendja e:

  • burimeve kulturore dhe udhëtimeve për biznes (vlerësuar 1.2)
  • infrastruktura e transportit ajror (2.1)
  • burimet natyrore (vlerësuar 2.9)
  • infrastruktura portuale (vlerësuar 3.1)
  • shërbimeve dhe infrastruktura e turizmit (vlerësuar 4)

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>