Në dhjetor 2017, Exit.al shpegoi se përse kanë dështuar pikat kyçe të reformës në administratën publike, e cila është një nga pesë prioritetet për hapjen e negociatave me BE-në. Ende sot — një ndër pikat kyçe të reformës — ndërtimi i një baze të dhënash qendrore të të gjithë nëpunësve civilë mungon.
Gjetjet e raportuara më herët nga exit.al u konfirmuan nga Raporti i përpiluar nga SIGMA, nisëm e BE-së dhe Forumit për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (OECD) për monitorimin e ecurisë së reformës në administratën publike për 6 vendet kandidate në BE, përfshirë dhe Shqipërinë.
Raporti, “Parimet e Administratës Publike: Shqipëria” shkruan se në Shqipëri nuk ka të dhëna në lidhje me “qarkullimin vjetor të nëpunësve civilë në nivelin e administratës qendrore”, që do të thotë se qeveria nuk ka të dhëna se sa nëpunës janë punësuar ose shkarkuar që nga fillimi i reformës.
Me tej, raporti tregon se në vitin 2015 nuk ndryshoi asnjë prej drejtuesve të lartë (0 përqind) të qeverisë, ndërsa në vitin 2016 u ndryshuan vetëm 2 përqind e tyre. Ndërkohë që 16 për qind e drejtuesve të lartë u shkarkuan dhe pastaj u rishfaqën në institucione të tjera shtetërore.
Ky “rikthim” ka qenë një model i përdorur nga qeveria Rama, i cili vazhdoi edhe pas bërjes publike të Listës së Zezë nga Kryeministri Rama. Ku në bazë të së cilës Kryeministri shkarkoi publikisht drejtorët e institucioneve pa asnjë hetim apo kontroll. Shumica e atyre që u shkarkuan u rikthyen sërish në zyrat e shtetit, thjesht u zhvendosën në pozicione e institucione të tjera.
Raporti gjithashtu thekson se:
“…mungesa e rregullave specifike për të siguruar rekrutimin e bazuar në meritë, integritet dhe procedurë disiplinore, për disa grupe punonjësish që ushtrojnë autoritet publik dhe që nuk mbulohet nga Ligji për Shërbimin Civil pas ndryshimeve të miratuar në vitin 2014, mbetet një çështje shqetësuese. […]
Nuk ekziston një kuadër ligjor i njëtrajtshëm dhe gjithëpërfshirës për të siguruar rekrutimin dhe shkarkimin në bazë të meritës të atyre punonjësve publikë që nuk mbulohen nga Ligji për Nëpunësin Civil.”
Për shembull, në shumë drejtori si në atë të Doganave, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Komisionit të Prokurimeve — drejtuesit emërohen drejtpërdrejt nga Këshilli i Ministrave pa asnjë lloj vlerësimi formal paraprak.
Për më tepër, kriteret e emërimit të inspektorëve të Autoritetit Mbikëqyrës të Lojërave të Fatit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit nuk parashikohen në Ligjin për Nëpunësin Civil dhe prandaj ata nuk merren në punë bazuar në konkurse apo testime, pra në bazë të meritës. Ky përjashtim nga ligji, sidomos në rastin e këtyre dy institucioneve shkakton qartazi keqadministrimin e institucioneve, të raportuar gjërësisht në media.
Raporti gjithashtu konstaton se është ” përmirësuar përqindja e vendeve të lira të punës të plotësuara, por ka pasur një rënie të konsiderueshme në numrin e kandidatëve pjesëmarrës”, që do të thotë se ka më pak kandidatë që aplikojnë për një pozicion të hapur.
Ky është rezultat i drejtpërdrejtë i përshtypjes së qytetarëve se është e pamundur të fitosh punë në një institucion të administratës publike, pa pasur lidhje a njohje me drejtuesit e lartë.
Në shumicën e pozicioneve më të larta në qeveri, nëpunësit janë emëruar “përmes përdorimit të procedurës së jashtëzakonshme”:
“Në vitin 2016, 81 për qind e vendeve të lira të hapura për konkurrim u plotësuan, pavarësisht numrit të ulët të kandidatëve të pranueshëm”.
Edhe pse ka pasur një rënie të shkarkimeve që nga viti 2015, qeveria vazhdon të injorojë urdhrat e gjykatës: “Zbatimi i vendimeve gjyqësore të favorshme për shkarkimin e nëpunësve civilë mbetet shumë e ulët”.