Raporti i BE-së: Shqipëria nuk u garanton të drejtat grave, fëmijëve dhe migrantëve

Nga Exit News
Raporti i BE-së: Shqipëria nuk u garanton të drejtat grave, fëmijëve dhe migrantëve Foto ilustruese.

Shqipëria nuk përmbush standardet evropiane që garantojnë mbrojtjen dhe të drejtat e nënave dhe fëmijëve.

Komiteti Evropian i të Drejtave Sociale (KEDS) ka bërë publik një raport rreth të drejtave të fëmijëve, familjes dhe migrantëve.

Në raport vlerësohet se 37 shtete evropiane i përmbushin dispozitat e Kartës Sociale Evropiane (KSE).

Shqipëria, e cila i ka ratifikuar dispozitat e KSE-së në vitin 2002, nuk ka përmbushur ende Nenet 16, 17, 27 dhe 31, të cilat mbulojnë të drejtat e familjeve, nënave dhe fëmijëve për strehim, mbrojtje ligjore dhe ekonomike.

Në periudhën 2014-2017, KEDS ka pikasur 17 raste të mosrespektimit të KSE-së. Raporti vë në dukje mungesën e informacionit nga ana e qeverisë, duke e konsideruar shkelje të detyrimit për të raportuar, e parashikuar kjo nga Karta.

Duket se qeveria ka dhënë informacion vetëm mbi legjislacionin ekzistues, ndërsa nuk ka dhënë informacione të detajuara rreth fëmijëve të shfrytëzuar për punë apo seks, apo për masat e parandaluese të marra.

Raporti këshillon se vetëm legjislacioni nuk është i mjaftueshëm për të siguruar mbrojtje nga shfrytëzimi për punë i fëmijëve.

Asnjë statistikë e mjaftueshme rreth fëmijëve të shfrytëzuar në Shqipëri nuk disponohet aktualisht.

Kështu, raporti vë në dukje, se ndërsa ekziston legjislacioni, një numër i dispozitave të KSE-së nuk janë zbatuar në praktikë.

Ndërsa Karta ndalon punësimin nën moshën 15 vjeç, raporti thekson se përkufizimi i “punës së lehtë” në ligjin shqiptar është shumë i paqartë dhe se, në praktikë, ndalimi i punësimit nën 15 vjeç nuk ishte i garantuar.

Raporti këshillon përmirësimin e sistemit të monitorimit të punës së fëmijëve dhe rritjen e performancës dhe kapaciteteve të inspektoratit të punës.

Raporti vuri në dukje se rreth 200 fëmijë janë duke punuar në sektorin e energjisë, kryesisht në minierat e Bulqizës.

Koalicioni Shqiptar kundër Trafikimit të Fëmijëve dhe Shfrytëzimit Seksual të Fëmijëve raportoi se mbi 50,000 fëmijë punojnë për të siguruar mbijetesën e familjeve të tyre.

Një studim i UNICEF i vitit 2017 tregoi se 15,000 fëmijë shqiptarë janë larg shkollës dhe shumica e tyre janë angazhuar në punë. Mbi 2,500 fëmijë shqiptarë lypin dhe jetojnë në rrugë, gjë që gjithashtu i lë ata shumë të prekshëm prej shfrytëzimit seksual.

Raporti konsideron të pamjaftueshëm masat e marra për të luftuar trafikimin e fëmijëve dhe për të ndihmuar fëmijët në situatë rruge.

Sa i përket pagesës së drejtë, raporti arrin në përfundimin se pagat e paguara për punëtorët e rinj dhe praktikantët nuk janë të drejta. Kjo për faktin se “paga minimale neto në Shqipëri është dukshëm e padrejtë” në përgjithësi”.

Gratë mund të përfitojnë shpërblime të mëmësisë vetëm nëse janë siguruar nga punëdhënësi, domethënë duke punuar në mënyrë të ligjshme për një punëdhënës që ka paguar përfitimet e tyre të sigurimeve shoqërore rregullisht, për të paktën një vit.

Qeveria nuk dha asnjë informacion në lidhje me nivelin e përfitimeve të lindjeve. Raporti vlerësoi shumë të gjatë periudhën e kërkuar të kontributit prej 12 muajsh në skemën e sigurimeve shoqërore.

Gratë shqiptare janë gjithashtu të prekshme nga pushimet nga puna prej lejeve të lindjes, raporti konstaton, se kjo ndodh pasi nuk ka mbrojtje të përshtatshme kundër pushimeve të tilla. Për më tepër, edhe nëse një grua arrin të fitojë një çështje pushimi të padrejtë gjatë një leje lindjeje, rikthimi në punë nuk është i garantuar në sektorin privat, dhe kompensimi i dhënë është i papërshtatshëm.

Raporti gjithashtu vë në dukje dështime të tjera për të garantuar të drejtat e migrantëve, duke përfshirë mungesën e një bashkëpunimi të mjaftueshëm midis shërbimeve sociale në vendet e emigracionit dhe migracionit, mungesën e masave konkrete të marra nga qeveria për të eleminuar diskriminimin e punësimit dhe akomodimit, si dhe mungesën e mësimit të gjuhës mëmë për migrantët.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme