Televizioni News24 ka bërë publik raportin e ministrave teknikë të opozitës për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. Në raport shkruhet se vota është ndikur përmes:
Shit – blerjes së votës me burime të dyshimta financiare, me favore të ndryshme si pajisja me certifikatë pronësie, legalizim i pronës, premtimi i vendeve të punës, premtimi i notës kaluese në provimet e maturës etj.
Favorizimit në tendera, vlera e të cilëve e tejkalojnë disa herë buxhetin e një ministrie të caktuar.
Grupeve kriminale të njohura, të cilat kanë mbështetur partitë politike gjatë fushatës elektorale në qytetet e Durrësit, Shkodrës, Lezhës, Dibrës, Elbasanit, Tiranës, Beratit, Fierit etj.
Punonjësve të policisë, të cilët kanë bashkëpunuar me element kriminalë dhe kanë mbështetur partitë politike në fushatën zgjedhore. Drejtori i Përgjtihshëm i Policisë nuk ka marrë asnëj masë për rastet e denoncuara.
Shpërndarjes së ftesave për të votuar një subjekt elektoral ditën e heshtjes zgjehdire në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.
Punësimeve, largimeve, transferimeve të ndryshme në administratën shtetërore— nga sistemi elektronik i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, rezulton se gjatë fushatës zgjedhore janë kryer rreth 3600 lëvizje të burimeve njerëzore në administratë publike.
Institucionet publike që kanë kryer këto lëvizje kanë fshehur informacionin ndaj është e pamundur të mësohet nëse këto punësime janë kryer në përputhje me strukturat e institucioneve apo janë punësime me kontrata të përkohshme jashtë organikës së miratuar. Kjo çështje është adresuar në Prokurori nga Zëvendës kryeministri, ndërkohë që është penguar nga protokolli i Kryeministrisë për veprime të mëtejshme.
Pas përfundimit të raportit, dje, ministrat teknikë u dorëhoqën. Ato u emëruan në qeveri pas marrëveshjes së 18 majit ndermjet Kryetarit të opozitës Lulzim Basha dhe Kryeministrit Edi Rama. Ministrat teknikë duhet të garantonin mospjesmarrjen e administratës në fushatë zgjedhore, mospërdorimin e burimeve të shtetit dhe të monitoronin situatën e drogës.