Raporti i ODIHR për zgjedhjet i hap rrugën ribërjes së Reformës Zgjedhore

Nga Exit News
Raporti i ODIHR për zgjedhjet i hap rrugën ribërjes së Reformës Zgjedhore

OSBE/ODIHR ka publikuar raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Sipas raportit zgjedhjet u administruan mirë nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe partitë ishin të lira të zhvillonin fushatat e tyre zgjedhore. Në ditën e votimit situata ishte relativisht e qetë dhe procesi u zhvillua sipas rregullave me përjashtim të disa rasteve kur vëzhguesit kanë vërejtur mbikqyrje të votuesve dhe grumbullime në kundërshtim me masat anti-COVID.

Raporti tërheq vëmendjen për reformën e Kodit Zgjedhor dhe ndryshimet në ligj të bëra para zgjedhjeve, të cilat sipas tij kanë bërë të paqarta rregullat si për votuesit ashtu dhe për KQZ-në pasi nuk i është dhënë koha e duhur për t’u konsultuar dhe zbatuar.

OSBE/ODIHR thotë se disa nga rekomandimet e saj janë adresuar por të tjera vijojnë të kërkojnë vëmendje si rregullat për financimin e partive politike, garantimi i lirisë së medias dhe depolitizimi i administratës zgjedhore.

Me këto rekomandime ODIHR i hap rrugë një reforme të re zgjedhore, teksa nënvizon se çështjet ligjore duhen shqyrtuar nga parlamenti i ri në shtator.

Sipas raportit, publikimi i të dhënave personale të votuesve ishte një çështje shqetësuese.

Përdorimi i administratës dhe shit-blerja e votës ishin fenomene prezente gjatë zgjedhjeve sipas raportit.

Aty theksohet gjithashtu se ndaj kandidatëve të pavarur nuk duhet aplikuar pragu 1% kombëtar për të hyrë në Kuvend.

Disa nga rekomandimet kryesore të raportit të OSBE/ODIHR janë si më poshtë:

  1. Ligji zgjedhor ka nevojë për rishikim të mëtejshëm për të adresuar rekomandimet e ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias dhe një numër paqartësish dhe mospërputhjesh. Ndryshimet në ligj duhet të paraprihen nga një proces i hapur dhe gjithëpërfshirës i konsultimit, dhe të miratohen para zgjedhjeve të ardhshme.
  2. Shteti duhet të garantojë të drejtën për një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë. Çdo formë presioni për të zbuluar nëse dhe si votuan njerëzit duhet të parandalohet.
  3. Agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të shtojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e blerjes së votës. Qytetarët duhet të inkurajohen të denoncojnë shit-blerjen e votës ose presionin.
  4. Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve. Institucionet përkatëse duhet të hetojnë dhe sanksionojnë çdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin zgjedhor.
  5. Ligji duhet të ndryshohet për të siguruar që mediat të jenë në gjendje të mbulojnë në mënyrë të pavarur aktivitetet zgjedhore me qëllim që të kufizojnë përdorimin e përmbajtjes së prodhuar nga partia në lajme.
  6. Të rishikohet pragu kombëtar 1% për kandidatët e pavarur për të respektuar parimin e mundësive të barabarta.
  7. Për të shmangur zhvlerësimin e qëllimshëm të fletëve të votimit dhe për të rritur besimin në procesin zgjedhor, autoritetet duhet të investojnë në programe edukimi të votuesve të përshtatura për kategori të ndryshme të votuesve.
  8. Për të siguruar votimin universal dhe trajtimin e barabartë para ligjit, kufizimet e bazuara në aftësitë e kufizuara mendore duhet të hiqen dhe duhen regjistruar votuesit mbi 100 vjeç.
  9. E drejta e kryetarëve të partive politike që të konkurrojnë në disa zona zgjedhore duhet të rishikohet për të ruajtur parimin e barazisë.
  10. Të rishikohet dispozita e ligjit në lidhje me numrin maksimal të kandidatëve në lista dhe renditjen e kandidatëve të gjinive të ndryshme.
  11. Organet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë të gjitha pretendimet për shkelje zgjedhore, përfshirë keqpërdorimin e burimeve shtetërore, në një mënyrë të plotë, në kohë dhe transparente.
  12. Autoritetet duhet të forcojnë rregullat dhe të kufizojnë financimin e partive nga palë të treta.
  13. Partitë duhet të bëjnë publike të ardhurat dhe shpenzimet e fushatës para ditës së zgjedhjeve
  14. Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet për të garantuar mundësi të barabarta të të gjitha palëve garuese për mbulim në media, përfshirë hapësirën për reklamim.
  15. KQZ-ja duhet të vazhdojnë programet personale të edukimit të votuesve të përshtatura për nevojat e pakicave kombëtare rome dhe egjiptiane. Mund të bëhen përpjekje shtesë nga autoritetet për të lehtësuar aplikimin ose rinovimin e kartave të identitetit të votuesve me nevoja të veçanta.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>