Raporti i SHBA-së tregoi se gazetari i The Washington Post Jamal Khashoggi u vra me urdhër të qeverisë së Arabisë Saudite. Raporti i publikuar të premten, nxorri në pah se princi i Kurorës Mohammed bin Salman urdhërou një ekip të specializuar për vrasjen e tij.
Një raport i deklasifikuar i inteligjencës amerikane konfirmon për herë të parë se çfarë roli pati sundimtari de facto i Arabisë Saudite në vrasjen e gazetarit Saudit në vitin 2018.
Administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump e mbajti të bllokuar raportin e shumëpritur, pavarësisht një ligji të vitit 2019 të miratuar nga Kongresi që kërkonte bërjen e tij publike.
Khashoggi punonte për gazetën Washington Post dhe në shkrimet e tij ka qenë kritik ndaj qeverisë Saudite. Ai u vra brenda konsullatës Saudite në Stamboll në Tetor 2018.
Zyrtarët sauditë kanë mohuar që princi i Kurorës të ketë pasur ndonjë rol në vrasjen e tij.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se administrata e Biden do të njoftojë veprimet e ndërmarra në përgjigje të vrasjes së Khashoggi, pasi raporti u publikua.
Inteligjenca amerikane tha se princi i Kurorës së Arabisë Saudite “ka ndërmarrë masa të dhunshme për të heshtur disidentët jashtë vendit, përfshirë Khashoggi”.
Raport emëron 21 individë që morën pjesë ose ishin bashkëpunëtorë në vdekjen e Khashoggi. Ndërsa operacioni në Stamboll ishte planifikuar paraprakisht, autoritetet e inteligjencës amerikane thanë se nuk e dinë kur u mor vendimi.