Thorsten Frei, deputet i CDU-së së Angela Merkel, deklaroi sot se hetimet për rastin Xhafaj po shihen me vëmendje nga Gjermania.
Në një intervistë për gazetën Panorama, Zoti Frei, njëkohësisht dhe raportues i CDU-së për Shqipërinë, tha se hetimi i pavarur dhe mënyra se si çështja do të ndiqet nga drejtësia do të jenë të rëndësishme për Gjermaninë gjatë marrjes së vendimit nëse do të hapen negociatat me BE-në për Shqipërinë.
Disa nga deklaratat kryesore të deputetit gjerman Frei janë:
– E ndjek rastin [e ministrit Xhafaj dhe vëllait të tij] me vëmendje të madhe. Është e rëndësishme se si do të gjykojnë ligjërisht politikanët dhe ligjvënësit shqiptarë. Kjo është një çështje besueshmërie.
– Akuzat [ndaj ministrit Xhafaj për ndryshim të ligjit dhe bllokim të zbatimit të ligjeve] janë akuza mjaft serioze. Mbi të gjitha, duhet të jetë në interes të qeverisë shqiptare që t’i sqarojë këto pohime mjaft shpjet.
– Vendimtare për mendimin tim është sjellja e vetë ministrit. Duhet të jetë e qartë që ai nuk ka shkelur ligjin për të mbrojtur vëllanë e tij. Kjo kërkon një hetim të pavarur.
– Hapja e negociatave për anëtarësim duhet që në radhë të parë të varet nga përmbushja e kushteve të Shqipërisë. Kjo vlen veçanërisht për çështjet e ligjit ose për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
– Në Shqipëri, gjithmonë e kam theksuar, se sa e rëndësishme është që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë përpara ligjit dhe të famshmit të mos trajtohen më mirë. Në këtë kuptim, rastet si këto [të ministrit Xhafaj] janë gjithmonë një provë lakmuese për procesin e reformës në tërësi.
– Ne do të mbledhim të gjithë informacionin në dispozicion, do të përpilojmë një tablo të përgjithshme dhe do të formulojmë rekomandimin tonë [për hapjen e negociatave me BE-në] në përputhje me rrethanat.