Çështja Balili: një kronikë e kapjes së qeverisjes nga krimi

Çështja Balili: një kronikë e kapjes së qeverisjes nga krimi

9 maj 2016:

Policia greke arreston 15 persona, anëtarë të një rrjeti të madh trafikimit të drogës nga Shqipëria në Greqi e prej andej në vende të tjera europiane. Sipas policisë greke, rrjeti drejtohej dhe financohej nga Klement Balili, që ajo e quan “baron të Ballkanit”, i cili nuk është arrestuar dot dhe është shpallur në kërkim nga policia greke.

10 maj:

Mediat greke publikojnë raportet e para mbi rrjetin kriminal të shkatërruar. Ato pohojnë se e kreu i organziatës, Klement Balili, nuk është arrestuar dot. Ato e pagëzojnë atë me emrin “Eskobari i Ballkanit”. Sipas tyre Balili ishte shef transporti në qytetin e Sarandës dhe kishte lidhje të ngushta me qeveritarët e lartë.

Seksioni grek i CNN-it në një lajm me titull: “Mbrojtje politike për baronin e kartelit të Ballkanit”, flet për një takim dypalësh mes policisë greke dhe asaj shqiptare, gjatë të cilit përfaqësuesit shqiptarë u kanë thënë atyre grekë se Klement Balili nuk mund të preket “në Shqipëri sepse ky person ka lidhje me parti politike dhe kontakte me politikanë të nivelit të lartë”.

11 maj:

Ambasada shqiptare në Athinë i shkruan CNN-it grek duke mohuar që ndonjë oficer policie shqiptare të ketë thënë se Klement Balili ka lidhje me politikanë shqiptarë.

Opozita akuzon publikisht se Klement Balili ka lidhje të ngushta dhe mbrohet nga Saimir Tahiri dhe drejtues të lartë të shtetit.

Mediat botojnë një video në të cilën Ilir Meta, Arben Ahmetajt dhe Koço Kokëdhimës janë duke prerë shiritin e hotelit super luksoz të Balilit në Sarandë, Santa Quaranta.

Klement Balili jep intervistë për televizionin News 24 ku pohon: “Nuk kam lidhje me akuzat e opozitës, unë kam një deshmi penale të pastër. Çdo kush që përmend emrin tim do ta coj në gjykatë”.

Policia e shtetit lëshon një deklaratë publike ku shprehet se “është e papranueshme që një parti politike të ngrejë akuza të pabaza”. Ajo e quan operacionin grek “ende në vazhdim” dhe thotë se “nuk mund të bëhen publike detaje që cënojnë këtë hetim”.

Policia deklaron se nga pala greke nuk ka ndonjë kërkesë zyrtare për arrestimin e Klement Balilit.

Prokuroria e Përgjithshme i dërgon kërkesë për ndihmë juridike Ministrisë së Drejtësisë greke nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë shqiptare.

12 maj:

Klement Balili shkarkohet nga Drejtor i Transportit në Sarandë.

Ministri i Drejtësisë Manjani pohon në Top Story se se “nëse i referohemi emrit konkret, zoti Balili deri kur flasim nuk ka asnjë rekord kriminal në Shqipëri. Është një qytetar i lirë”.

13 maj:

Policia e Sarandës merr urdhër të arrestojë Balilin, por nuk arrin të gjejë.

17 maj:

Autoritetet greke shpallin në kërkim ndërkombëtar Klement Balilin. Interpol Tirana njofton për këtë urdhër ndërkombëtar Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme.

Ministri Saimir Tahiri pohon në Top Story: “Policia i ka bërë në datë 7 apo 8 maj disa kërkesa prokurorisë për ta arrestuar, por ata kanë refuzuar sepse nuk kishin asnjë të dhënë për këtë person… Deri para se të hyja në studio nuk ka një mandat-arresti. Nuk mund të arrestohet dikush vetëm se flet media”

25 maj:

Ministria jonë e Drejtësisë i përcjell Ministrisë greke të Drejtësisë kërkesën për ndihmë juridike nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Gusht:

Partia Demokratike boton një fotografi ku Klement Balili është duke shëtitur me jaht në brigjet e Sarandës nën shoqërinë e një drejtuesi të lartë të policisë dhe pretendon se ajo është marrë pasi Balili është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Shtator:

Mediat vendase dhe Kathemirini grek publikojnë një video ku pretendohet se Klement Balili është duke festuar, në shoqërinë e kreut të PS të Tepelenës, në dasmën e nipit të bashkëshortes së tij, i cili ka marrë detyrën që mbante Balili si drejtor i Transporteve të Sarandës.

30 tetor:

Klement Balili flet për gazetën greke Ethnos në të cilën ai pretendon se akuzat ndaj tij janë politike dhe bëhen me qëllim për të dëmtuar kryeministrin Edi Rama. Balli hedh poshtë që ai bën jetë luksoze, pavarësisht faktit se ka në pronësi një hotel super luksoz dhe një kompleks të madh banimi. Ai shprehet se atij i duhej të zgjohej çdo ditë në orën gjashtë të mëngjesit dhe të punonte deri në orën 8 të mbrëmjes në drejtorinë e transporteve në Sarandë për një rrogë.

14 nëntor:

Ministria e Drejtësisë greke dërgon në Shqipëri dosjen e plotë me provat e përfshirjes së Klement Balilit në trafikun e drogës.

6 dhjetor:

Dosja e përkthyer nga Ministria e Drejtësisë i përcillet prokurorisë.

Shqipërinë e viziton Drejtori i CIA-s amerikane John Brennan. Burime të rezervuara pohuan se një nga arsyet e vizitës së tij ishte trysnia ndaj qeverisë shqiptare për të bashkëpunaur në operacionet kundër trafikantëve të drogës.

10 dhjetor:

Policia shqiptare ndërmerr një aksion masiv në jug të vendit për kërkimin e Klement Balilit pa asnjë rezultat. Është aksioni i parë që ajo ndërmori për kërimin dhe kapjen e tij mbas atij të fillim majit.

Vëllai i Klement Balilit deklaron për mediat se Klement Balili ka qënë në Sarandë gjatë gjithë kohës pasi për të nuk ka patur asnjëherë urdhër arresti nga policia. Ai pretendon se ndërsa policia ka mësyrë në Sarandë për arrestimin e tij, ai kishte udhëtuar i qetë për në Tiranë për një punë të tijën.

13 dhjetor:

Ambasadori amerikan Donal Lu sulmon ashpër policinë, Ministrinë e Brendëshme dhe prokurorinë për mos kapjen e Klement Balilit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>