Kreu i Partisë Demokratike deklaroi të martën në një intervistë me gazetaren Sonila Meço në Tempora në RTV Ora, se Prokuroria duhet të kishte marrë të pandehur Veliajn, Ramën dhe Agaçin për rastin e Becchettit.
“Së pari sot që flasim prokuroria duhet të kishte marrë të pandehur Edi Ramën, Erjon Veliajn dhe Engjëll Agaçin. Sepse faktet janë publike. Së dyti me ardhjen në pushtet të koalicionit një nga ligjet e para që do të kalojmë jo vetëm për këto që kanë ndodhur por edhe si garanci që këto s’do të ndodhin më, as nën qeverisjen tonë dhe as në të ardhmen, do të jetë ligji i përgjegjësisë personale financiare për akte që dëmtojnë financat publike”, tha Basha.
Kreu i PD Lulzim Basha u shpreh se rasti i Agon Channel është rast jo vetëm korrupsioni, por presioni korruptive në media për të ndryshuar linjën editoriale, kjo është vepër penale.
“Këto para të cilat shteti shqiptar iu detyrohet për shkak të arbitrazheve dhe gjyqeve të humbura prej abuzivizmit, prej korrupsionit. Rasti i Agon Channel është rast jo vetëm korrupsioni , por presioni korruptive në media për të ndryshuar linjën editoriale, kjo është vepër penale”, tha Basha.
Ai tha se nëse një zyrtar dëmton financat taksapaguesve, buxhetin e shtetit, taksat e qytetarëve me vetë dije për të favorizuar veten “do të përgjigjet me pasurinë e vet personale”.
Për këtë tha Basha PD nuk do të shpik gjë, po do të marrë shembuj të vendeve që “kanë patur përvoja të hidhura qoftë në kuptimin e hartimit të ligjit”.