Vetëm 38,46 për qind e votuesve maqedonas morën pjesë në referendumin e 30 shtatorit për çështjen e emrit, ç’ka e bën referendumin të pavlefshëm pasi që të quhej i vlefshëm duhej që në votim të kishin marrin pjesë mbi 50 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Rreth 90 për qind e votuesve kanë votuar pro marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit.
Pyetja që iu drejtua qytetarëve ishte “A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”.
Megjithë dështimin, Kryeminitri Zoran Zaev tha se nuk do të dorëhiqet dhe do ta kalojë procedurën në parlament:
“Parlamenti e ka radhën, dhjetë ditë do të bëjmë përpjekje, por në rast se nuk arrijmë të sigurojmë 2/3 e votave, atëherë alternativë mbeten zgjedhjet e parakohshme.”
Ndërkohë Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg shprehu mbështetjen e NATO-s për këtë hap të Maqedonisë:
“E mirëpres votën e Maqedonisë. Kërkoj nga të gjithë liderët dhe partitë politike të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me përgjegjësi ta kapin këtë shans historik. Dera e NATO-s është e hapur, por fillimisht të gjitha procedurat nacionale duhet të kryehen.”
Departamenti Amerikan i Shtetit, po ashtu, përshëndeti rezultatet e referendumit:
“SHBA-të fuqishëm e mbështesin implementimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës e cila mundëson Maqedonisë të merr vendin e merituar në NATO dhe BE dhe do të kontribuojë në stabilitetin rajonal, të sigurisë dhe prosperitet. Me faktin se Kuvendi i Maqedonisë tani fillon me shqyrtimin e ndryshimeve kushtetuese, i ftojmë liderët të ngritën mbi politikat partiake dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi historike që të mundësojnë të ardhme të ndritur për vendin si anëtare e plotfuqishme e institucioneve perëndimore.”