Reforma zgjedhore: Përmbledhje e ndryshimeve të bëra deri tani dhe atyre të pritshme

Nga Megi Ndregjoni
Reforma zgjedhore: Përmbledhje e ndryshimeve të bëra deri tani dhe atyre të pritshme

Në muajin korrik, Kuvendi miratoi një pjesë të rëndësishme të reformës zgjedhore, përmes ndryshimit të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor.

Ndryshime të tjera janë dakordësuar në Këshillin Politik dhe do të përfshihen në Kodin Zgjedhor në vjeshtë, pas rifillimit të punës së Kuvendit, ndërsa një sërë çështjesh të tjera të rëndësishme do të vazhdojnë të diskutohen në Këshillin Politik me shpresën se do të mund të arrihet dakordësi.

Exit sjell në mënyrë të përmbledhur më poshtë një pasqyrë të ndryshimeve të deritanishme dhe atyre të pritshme.

Ndryshimet kushtuese:

Hapja e listave: të paktën dy të tretat e kandidatëve në listat partiake duhet t’i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit. Ky ndryshim nuk detyron hapjen e plotë të listave, por e lë të hapur këtë opsion:  Kushtetuta vendos vetëm një minimum, por me Kod Zgjedhor mund të vendoset që listat të hapen 100 për qind.

Me këtë ndryshim, votuesit do të votojnë për partinë e preferuar dhe brenda partisë mund të shprehin pëlqimin për disa kandidatë të partisë, numri i zgjedhjeve do përcaktohet në Kodin Zgjedhor. Renditja e kandidatëve në listën e partisë tani do bëhet në bazë të votave të marra nga kandidatët.

Aktualisht, listat janë të mbyllura: renditja e kandidatëve në lista vendoset që para zgjedhjeve nga partia dhe zgjedhësit votojnë vetëm për partinë.

Ndalimi i koalicioneve parazgjedhore me lista të veçanta: në Kushtetutë u përcaktua se “kandidati për deputet do të propozohet nga partitë politike ose nga zgjedhësit”, duke hequr opsionin “koalicionet e partive”.

Deri tani kandidati për deputet mund të propozohej “nga partitë politike, koalicionet e partive dhe zgjedhësit”, çfarë kishte mundësuar që partitë të formonin koalicione edhe nëse ato garonin kundër njëra-tjetrës me lista kandidatësh të veçantë.

Mbetet për t’u parë nëse Kodi Zgjedhor do lejojë koalicionet partiake me një listë të përbashkët apo do përjashtojë çdo lloj koalicioni partiak.

Heqja e mundësisë për sistem proporcional kombëtar: Ndryshimet përcaktuan se sistemi zgjedhor është “sistem proporcional me konkurim rajonal.”

Deri tani, Kushtetuta përcaktonte se sistemi zgjedhor është “sistem proporcional me zona zgjedhore shumë-emërore”—zonat zgjedhore duhet të përputheshin me një nga ndarjet administrativo-territorial të vendit, duke lënë të hapur që mund të kishte edhe një zonë të vetme, pra nje sisem kombëtar.

Me përcaktimin “konkurim rajonal”, të bërë tani në Kushtetutë, përjashtohet sistemi proporcional kombëtar.

Nga ana tjetër, termi “rajonal” është i papërcaktuar në Kushtetutë dhe nuk është e qartë se çfarë nënkupton. Më 30 korrik 2020, Kuvendi ka miratuar një ligj mbi “zhvillimin dhe kohezionin rajonal”, i cili e ndan vendin në katër rajone zhvillimore, si njesi territoriale (por jo administrative).

Mbetet për t’u parë nëse shumica socialiste do të tentojë që të përdorë këtë kufizim edhe për zonat zgjedhore duke i ulur ato nga nga 12 zona zgjedhore, një për çdo qark, në katër zona zgjedhore.

Vendosja e pragut kombëtar: ndryshimet kushtetuese përcaktuan se sistemi zgjedhor pavarësisht se është rajonal do të ketë “prag kombëtar”.

Kjo do të thotë se edhe nëse arrijnë të marrin vota mjaftueshme për të futur një deputet në ndonjë nga zonat zgjedhore, por nuk arrijnë të marrin vota sa është pragu kombëtar, partia nuk e fiton vendin në Kuvend.

Sa do të jetë ky prag do të përcaktohet në Kodin Zgjedhor. Deri tani, Kushtetuta nuk përcaktonte prag kombëtar.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor sipas marrëveshjes së 5 qershorit të Këshillit Politik:

Përcaktim i periudhës së votimit: Kodi përcaktoi se data e zgjedhjeve do jetë ose në periudhën 15 prill – 15 maj ose 15 tetor – 15 nëntor.

Identifikimi biometrik i votuesve: Nga zgjedhjet e vitit 2025, votuesit do të identifikohen përmes leximit elektronik të kartës së identitetit ose pasaportës.

Nëse sistemi i nevojshëm do të ndërtohet në kohë, identifikimi biometrik do të bëhet që në zgjedhjet e vitit 2021.

Ristrukturimi i KQZ-së: KQZ do të përbëhet tani nga tre trupa të pavarura vendim-marrës: një trupë me pesë anëtarë që përcakton rregullat dhe udhëzimet, një trupë me pesë anëtarë që shqyrton ankimet dhe një person që do të në praktikë të gjitha veprimtarinë për mbatjen e zgjedhjeve, i cili do të drejtojë edhe administratën e KQZ-së.

Ngarkimi i KQZ me vendimin për votimin e emigrantëve: Kodi zgjedhor ka autorizuar KQZ-në që të vendosë se kur do t’u krijohen mundësi për votimin jashtë vendit të nënshtetasve shqiptarë që jetojnë në vende të tjera. KQZ ngarkohet, gjthashtu, edhe me zbatimin e këtij vendimi, kurdo që ai të meret.

Zgjedhja e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor: Kolegji Zgjedhor, i cili përbëhet nga 8 gjyqtarë, do të zgjidhet jo vetëm nga gjyqatarët e apelit por edhe ata të shkallës së parë; gjithashtu, Kodi vendosi që anëtarët e Kolegjit Zgjedhor duhet të jenë vetuar paraprakisht.

Ndryshimet e dakordësuara tashmë në Këshillin Politik:

Ndryshime në ligjin e policisë për të përcaktuar rolin e policisë në zgjedhje.

Ndryshime në ligjin per statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të vendosur se çështjet zgjedhore duhet të përfshihen në vlerësimin e vetingut dhe karrierën për magjistratët që kanë shqyrtuar çështje të tilla.

Ndryshime në ligjin për SPAK dhe Prokurorin e Përgjithshëm për të hetuar edhe korrupsionin zgjedhor.

Ndryshimet në financimin e partive politike, në fushatat zgjedhore.

Përcaktimi i formulës gjinore në përzgjedhjen e kandidatëve dhe deputetëve.

Krijimi i statusit të denoncuesit të krimeve zgjedhore, i cili do të gëzojë mbrojtje ligjore.

Çështjet që do të diskutohen në Këshillin Politik:

Përcaktimi i nivelit të hapjes së listave, duke zgjedhur mes tre alternativave të mundshme: t’i lihet secilës parti politike të vendosë se çfarë niveli hapje do të përdorë ajo për listën e saj, natyrisht duke respektuar nivelin minimal kushtetues prej dy të tretave; të hapen 100 për qind; të ruhet niveli minimal kushtetues prej dy të tretave.

Përcaktimi i pragut kombëtar që duhet të arrijnë partitë politike që të fitojnë të drejtën për t’u përfaqësuar në Kuvend.

Përcaktimi i rregullimit të koalicioneve, veçanërisht nëse do të lejohen koalicionet me listë të përbashkët apo jo.

Përcaktimi i rajoneve zgjedhore mes dy alternativave, ruajtjes së 12 zonave të tanishme zgjedhore apo kalimi në katër zona zgjedhore sipas katër rajoneve zhvillimore të përcaktuara nga Kuvendi, në fund të korrikut.

Përcaktimet për departizimin e administrimit zgjedhore, të cilat do të zbartohen për zgjedhejt e vitit 2025.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>