Rehablitimi i Parkut Rinia vazhdon me shkulje pemësh

Nga Gerard Gega
Rehablitimi i Parkut Rinia vazhdon me shkulje pemësh

Rrëzimi i një peme nga punimet që po bëhen në rehabilitimin e parkut Rinia zemëroi shumë qytetarë ditën e dielë.

Fotot e pemës së rrëzuar u qarkulluan vrullshëm në rrjetet sociale, pasi kjo është hera e parë që në parkun Rinia fotografohen dëmtime të gjelbërimit prej projektit që u propagandua se do të bënte të kundërtën.

Që prej muajit korrik zona është e rrethuar dhe qytetarët nuk kanë patur akses në të. Aty punohet për një projekt rehabilitues, i cili betonizon një pjesë të konsiderueshme të parkut duke krijuar relieve dhe sheshe.

Projekti i rehabilitimit të parkut Rinia, ku në disa pjesë të tij parashikohet krijimi i disa shesheve.

Urbanizimi i parkut u denoncua që në prill të vitit të shkuar, ndërsa projekti u bë publik vetëm në gusht të 2018-ës, nga një studio që e kishte punuar atë.

Facebook/Foto e pemës së rrëzuara në Parkun Rinia.

Parku Rinia u konceptua në vitet ’30 nga arkitektët italianë Armando Brasini dhe Florestano Di Fausto, por ideja e tyre u tjetërsua gjatë regjimit komunist.

Më 1949-ën, për 5-vjetorin e çlirimit të vendit, zona u mboll me pemë nga nxënës të shkollave të Tiranës, gjë për të cilën u quajt më pas edhe “Parku Rinia”.

Në vitet ’90 ky park u zu me kioska dhe ndërtime pa leje, të cilat u prishën në vitin 2001 nga një vendim i qeverisë së asaj kohe.

Prej rreth 20 vitesh, Parku Rinia nuk ka patur ndryshime pozitive për sa i përket gjelbërimit. Ndërkohë shumëkush e ka parë atë si mundësi për biznes duke kërkuar dhe përfituar edhe koncesion parkingu nëntokësor.

Në fakt projekti aktual i rehabilitimit po bëhet përpara ndërtimit të këtij parkingu, i cili u dha me koncesion në vitin 2015 nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>