Rektori i Universitetit të Mjekësisë, mjeku Arben Gjata deklaroi, të shtunën, se tre muajt e ardhshëm do të jenë më të vështirët sa i përket pandemisë së Covid-19.
Në një intervistë për News24, Gjata e quajti këtë dimër si ‘dimrin më të vështirë që ka kaluar ndonjëherë sistemi ynë shëndetësor dhe shoqëria shqiptare.’
“Jemi në një situatë jo të mirë, me rritje të numrave. Kemi përballë tre muajt më të vështirë të kësaj pandemie. Besoj fundi i vjeshtës së tretë dhe dimri do të jenë sfida më e madhe që ka kaluar ndonjëherë shëndetësia shqiptare dhe që do të kalojë shoqëria shqiptare. Ditët më të vështira i kemi ende përpara,” u shpreh Gjata.
Ai sqaroi se me ardhjen e dimrit, virozat që qarkullojnë në ajër shtohen dhe Covid duke qenë virozë do të rrisë shpejtësinë e përhapjes.
“Kemi edhe virozat e tjera, që mund të mbivendosen me virusin, duke sjellë një situatë shumë të rëndë,” theksoi Gjata.
Ai i bëri apel qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të shkojnë tek mjeku i familjes që në dallimin e shenjave të para të Covid-19.