Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve në universitete, pasi nuk janë plotësuar kërkesat ligjore.
Në një letër dërguar Ministrisë së Arsimit, Koni sqaron se edhe pse afati për aplikimin për të qënë pjesë e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve(KIZ)-organ që merret me organizimin e funksionimin e zgjedhjeve- ka mbaruar, nuk ka kandiduar asnjë pedagog.
“Shpalla edhe periudhën e aplikimeve apo të vetkandidimeve për anëtarë të Komisionit Institucional të Zgjedhjeve (KIZ) të UT dhe të Komisionit të Apelimit të UT, për formatimin dhe miratimin e tyre, si detyrë dhe përgjegjësi e Senatit Akademik të UT, të përcaktuar në nenin 6 dhe 37 të Rregullores së Zgjedhjeve të UT. Për shkak të mungesës së aplikimeve nga personeli akademik i UT për anëtar të KIZ, ky komision nuk arriti të miratohet nga Senati Akademik
Në këto kushte, aktualisht, në Universitetin e Tiranës, nuk është miratuar Komisioni Institucional Zgjedhor (KIZ), sipas kërkesave të nenit 6 të Rregullores së Zgjedhjeve të UT, si e vetmja strukturë që ka përgjegjësi për administrimin e procesit zgjedhor në UT.
Kjo do të thotë që në datën 30 korrik 2020, në Universitetin e Tiranës, nuk mund të zhvillohen zgjedhjet”
Rektori Koni akuzoi ish-anëtarët e KIZ se po vazhdojnë të ndërmarrin veprime të paligjshme, duke krijuar kaos dhe kofuzion në UT. Ndërkohë ai lajmëroi se i ka dërguar letër prokurorisë për të hetuar këtë situatë paligjshmërie.