Renditja e televizioneve shqiptare për vitin 2019

Nga Exit News
Renditja e televizioneve shqiptare për vitin 2019

Top Chanel është televizioni privat i parë në vend për të ardhurat dhe fitimet nga tregu i reklamave për vitin 2019, me 180 milionë lekë fitime, kryesisht si pasojë e kursimeve në shpenzime.

Pas tij renditet Klan Tv me 171 milionë lekë fitime. Të ardhurat e nëntë televizioneve kryesore pa pagesë në Shqipëri arritën në 4.3 miliardë lekë gjatë vitit 2019, me një rritje të lehtë prej 5% në krahasim me një vit më parë, raportoi gazetari Gjergj Erebara, në artikullin “Tregu i televizioneve 2019, surprizon A2 CNN”, në reporter.al.

Televizioni publik RTSH ka të ardhura më të larta se çdo televizion tjetër, 2,5 miliardë lekë, sa të ardhurat e Top Chanel dhe Klan TV së bashku. Ai financohet nga buxheti i shtetit dhe taksa e televizionit, e paguar nga qytetarët.

Në artikull analizohen edhe të dhënat e televizioneve të tjera private dhe platformat digjitale, kështu:

Hyrja e dy televizioneve të reja, A2 dhe Euronews gjatë vitit të kaluar u shoqërua me një rritje të lehtë të tregut të reklamave ndërsa të ardhurat e televizioneve ekzistuese nuk pësuan ndryshime dramatike.

Me përjashtim të hyrjes së A2 në treg, pjesët e tregut të zëna nga kompanitë e tjera mediatike nuk pësuan ndryshime të mëdha.

Sa i përket renditjes së televizioneve për nga të ardhurat,  në vend të tretë u rendit kompania Media Vizion, e cila operon televizionin Vizion Plus me 10% të tregut. Kompania G2 Media e cila operon televizionin A2CNN u rendit në vend të katërt me 9% të tregut.

Televizioni tjetër i ri, Euronews, i cili operohet nga kompania Euro Balkans News, pati 46 milionë lekë të ardhura ose vetëm 1.1% të tregut.

A2CNN realizoi të ardhura në masën 388 milionë lekësh pasi ndërtoi aktivitetin duke u mbështetur në asete me vlerë 120 milionë lekë. Të ardhurat e vitit 2019 i lejuan kompanisë të realizojë një fitim modest prej 130 mijë lekësh.

Nga të nëntë televizionet e analizuara nga BIRN, gjashtë prej tyre operojnë në formatin e lajmeve 24 orëshe dhe emisioneve të debatit ndërsa tre televizione kanë karakter të përgjithshëm dhe transmetojnë emisione dëfryese, filma apo telenovela, krahas lajmeve dhe debateve nga aktualiteti.

Të gjashta televizionet informative sëbashku kishin 1.3 miliardë lekë të ardhura (rreth 11 milionë euro) ndërsa tre televizionet e tjera, Top Channel, Klan dhe Media Vizion kishin së bashku të ardhura në masën 3 miliardë lekë.

Nga të nëntë televizionet në fjalë, tre prej tyre, Vizion Plus, ABC News dhe Euronews, e mbyllën vitin e kaluar me humbje ndërsa të tjerat patën bilanc pozitiv.

Klan pësoi një rënie të konsiderueshme në të ardhura në masën 24%, por ia doli të mbajë fitime të konsiderueshme.

Televizionet e analizuara kanë asete të përbashkëta në masën 8.6 miliardë lekë, (71 milionë euro). Rezultati neto i industrisë i shprehur në fitime në masën 71 milionë lekë, nënkupton një kthim në përqindje nga asetet në masën 0.8%. Kjo është një normë shumë e ulët që supozohet se do të shtynte drejt zvogëlimit të numrit të ndërmarrjeve që operojnë në këtë treg, gjë që në fakt nuk ka ndodhur.

Bilancet e Digitalb dhe Scan TV nuk ishin të disponueshme në faqen e internetit të Qendrës Kombëtare të Biznesit deri në ditën e publikimit të këtij shkrimi.

Shikueshmëria e televizioneve

Në Shqipëri aktualisht nuk ka të dhëna të besueshme për shikueshmërinë e televizioneve por nëse marrim nivelin e të ardhurave si tregues të shikueshmërisë së tyre, gjatë vitit 2019, katër televizionet kryesore kontrolluan 79% të tregut. Në vitin 2018, katër televizionet më të mëdha kontrollonin 88% të tregut.

Treguesi i përqendrimit, për rrjedhojë duket se është përmirësuar, por është gjithsesi shumë larg standardeve ndërkombëtare në të cilat, kur tregu dominohet në mbi 50% nga katër operatorë, konsiderohet se vendit i mungon larmishmëria në informacion që nevojitet për funksionimin e një shoqërie demokratike.

Media në Shqipëri ka gjithashtu tipar tjetër dallues që përbëhet nga kompani nën pronësi individuale ose familjare. Shumica e kompanive të analizuara janë nën pronësi të aksionerëve me lidhje të ngushta familjare.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>