Rënia e Bankës Intesa në Shqipëri

Rënia e Bankës Intesa në Shqipëri

Në qershor të vitit 2007, Banka Intesa Sanpaolo, një nga 10 bankat e para në Evropë, hyri me bujë të madhe në tregun shqiptar, duke blerë Bankën Italo-Shqiptare dhe Bankën Amerikane të Shqipërisë. Atëherë ishin dy banka të rëndësishme, shumë të rëndësishme. Banka Italo-Shqiptare është historia e rilindjes së sistemi bankar pas komunizmit. Ajo ishte banka e parë e krijuar pas rënies së komunizmit, si bashkëpunim mes qeverisë shqiptare dhe Bankës së Romës. Banka Amerikane e Shqipërisë lindi si projekt i Fondit Amerikano-Shqiptar të Ndërmarrjeve, me fondet e qeverisë amerikane dhe falë pikërisht këtij fakti, kishte fituar besimin e të gjithë tregtarëve të Shqipërisë, duke arritur vendin e dytë në klasifikim pas Raiffeisen Bank, që disa vite më parë kishte hyrë në tregun shqiptar duke privatizuar Bankën e Kursimeve.

Në kohën e bashkimit mes dy bankave, nën emrin Intesa Sanpaolo, gjithë vëzhguesit komentonin se kjo ishte një shenjë e normalizimit të Shqipërisë, dhe se hyrja e një banke “të vërtetë”, si Intesa, do të thoshte një ndërhyrje konkrete italiane në ekonominë shqiptare, ose të paktën forcim i madh i pranisë ekonomike italiane kundrejt asaj greke, deri atëherë dominuese në tregun bankar.

Në fakt, prania greke shkoi drejt zhdukjes, kjo për arsye të efektit të krizës financiare greke, që detyroi sistemin financiar ndërkombëtar të izolojë degët e huaja të bankave greke për të shmangur shenja sistemike të panikut financiar, ndërsa prania financiare dhe ekonomike italiane nuk u forcua aspak, përkundrazi.

Grafikët e mëposhtëm (në mijë lekë) tregojnë ecurinë e Bankës Intesa Sanpaolo në krahasim me konkurrentët e saj kryesorë.

krediaAsetetFitimi

Në vitin 2008, viti i parë në Shqipëri, Intesa ishte pas Bankës Raiffeisen, si për volumin e kredisë, ashtu dhe për totalin e aseteve, ndërsa si BKT dhe Banka Credins ishin atëherë më të vogla se Intesa.

Pas gati shtatë vjetësh, vërehet ndryshim pozicionesh: Banka Raiffeisen mbetet banka lider, si për asetet ashtu dhe për kreditë, por BKT jep 2,5 herë më shumë kredi se Intesa, ndërsa Credins, e cila bënte vetëm gjysmën e volumit të Intesës, tashmë ka trefishuar kreditë duke lënë Intesën të fundit në grupin e parë të bankave që përbëjë më shumë se 60% të tregut shqiptar.

Natyrisht, menaxhimi i një banke mund të vendosë që strategjia kryesore e një banke në një periudhë të caktuar të jetë ose rritja e saj ose maksimizmi i fitimit, dividentit të pronarëve.Por të dhënat tregojnë që rasti i Intesës është ndryshe. Në këto shtatë vite, Intesa ka regjistruar fitim prej afërsisht 71 për qind të kapitalit të saj të tanishëm, ndërsa BKT ka siguruar fitime të barabarta me 73 për qind të kapitalit të saj, i cili është pothuajse dyfishi i kapitaleve të Intesës. Për të njëjtën periudhë, Banka Raiffeisen ka realizuar fitime prej më shumë se 120 për qind të kapitalit të saj aktual, dhe në vlerë absolute për një shifër të përafërt me atë të BKT. Vetëm Banka Credins performoi më keq, duke akumuluar fitime për vetëm 53 për qind të kapitalit të tanishëm – por Credins është pronë e disa sipërmarrësve shqiptarë, të cilët nuk kanë mundësitë financiare të bankave të mëdha ndërkombëtare.

Pra, gjigandi Intesa në Shqipëri ka pësuar një përmbysje të madhe. Këtë vit volumi i aktivitetit të saj është më i ulët se ai i vitit 2008, edhe pse tregu bankar shqiptar në tërësi është rritur me 50 për qind. Volumi i kredisë së Intesës sot përbën vetëm 7,5 për qind të totalit të kredisë në vend, përafërsisht rreth 300 milionë euro në vit.

Në fakt, grupi Intesa ka operacione të tjera në favor të tregut shqiptar, por, për një sërë arsyesh jo gjithmonë të kuptueshme, këto operacione janë bërë nga bankat e tjera pjesë e grupit, siç ishte, për shembull, financimi i mbi 90 milionë euro për KESH-in, të dhëna në rrethana të paqarta nga Intesa e Çekisë.

Është e qartë se 300 milion euro kredi, një pjesë e të cilave për klientë të falimentuar (rreth 60 milonë euro kredi) dhe një pjesë tjetër paradhënie për pagesa urgjente, nuk kanë peshë të madhe në ekonominë e vendit. Madje ky volum kreditimi nuk është i mjaftueshëm as për të mbuluar nevojat e financimit të bizneseve italiane në Shqipëri dhe akoma më pak, shkëmbimet tregtare me Italinë, që është ende partneri kryesor tregatar i Shqipërisë me pothuajse 30 për qind të importeve totale (më shumë se 1 miliardë euro në vit) dhe mbi 50 përqind të totalit të eksporteve (pothuajse 900 milion euro në vit). Në fakt dy bankat italiane në Shqipëri (tjetra është Veneto Banka) zënë vetëm pak më shumë se 10 përqind të totalit të kredisë në vend, në krahasim me 18 për qind të ofruar bashkarisht nga katër bankat greke dhe pothuajse 20 përqind të bankës turke (BKT) dhe po aq të bankës austriake (Raiffesen). Bankat franceze (Credit Agricole dhe Societe General) zënë gati 7 përqind të volumit të kredisë.

Nga ana tjetër, dy bankat italiane mbledhin rreth 13 për qind të depozitave, njësoj sa të katër bankat greke, ndërsa turqit dhe austriakët mbledhin përkatësisht rreth 25 për qind dhe 23 për qind.

Në këtë pikë, lindin natyrshëm disa pyetje: kush është strategjia e vërtetë e bankës Intesa në Shqipëri? Si është e mundur ecuria e saj e deritanishme? Çfarë raporti ekziston midis rolit të Intesës dhe pranisë ekonomike italiane? Përse prezenca italiane në Shqipëri has gjithë këto vështirësi?

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>