
Sipas Report Tv, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur bllokimin e pasaportës dhe kartës së identitetit të Saimir Tahirit dhe paraqitjen e tij pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda çdo javë.
Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda pas paraqitjes së provave të reja që u gjetën në rastin e Orest Sotës.
Prokurorët gjetën në telefonin e Orest Sotës mesazhe të shkëmbyera me bashkëshorten e ish-Ministrit Tahiri.
Kujtojmë se Ish-ministri i Brendshëm Tahiri është nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për përfshirje në grupin kriminal të Habilajve. Ndërsa Orest Sota është në burg pasi në makinën e tij u gjetën rreth 800 mijë euro kesh dhe dy patenta për mjete lundruese të Saimir Tahirit, gjatë një kontrolli rutinë të policisë rrugore të Elbasanit.