Pas 10 vitesh nga tragjedia e 21 janarit, policia kërkon rihapjen e kësaj dosjeje ndërsa ministri i Brendshëm Bledi Çuçi shprehet se ka shpresë se prova të reja mund të dalin nga zhvillimi i teknologjisë.
Sipas ministrit është një prove e re që nuk është prekur asnjëherë me parë, pasi sipas tij ka munguar teknologjia.
Kjo provë tha Çuçi është plumbi që ka goditur Aleks Nikën.
“Është një provë që nuk është ezaurur asnjëherë. Që është plumbi që ka goditur Aleks Nikën. Kjo është një provë e pa ezauruar për shkak se me zhvillimin e teknologjisë së para 10 viteve ka qenë e pamundur që ekspertët t’i përgjigjeshin pyetjeve. Tashmë policia mendon dhe është e bindur që mund të përgjigjen, ekspertiza e bën të mundur edhe për shkak të zhvillimit të teknologjisë, në lidhje me plumbin e gjetur në trupin e Nikës”.
Ministri i Brendshëm tha se ekspertiza mund të sjellë zhvillime të reja. Ai vendosi theksin tek zhvillimi i teknologjisë dhe shtoi se ajo do të zbardhë shumë gjëra:
“Nëse do të vërtetoj me provë shkencore, me ekspertizë shkencore do të vërtetoj nga erdhi plumbi, si erdhi dhe nga cila armë është qëlluar. Kjo e sjell komplet cështjen në një situatë të re”.
Ai sqaroi se policia e ka pasur dosjen dhe ka kryer disa veprime por tani u pa e arsyeshme që të rihapet.
Çuçi tha se nuk ka rëndësi ora se kur është dërguar dosja por shtoi se tani është krijuar bindja që mund të bëhet një ekspertizë për të nxjerrë nga cila armë është qëlluar.
Ai tha se ekspertiza do kohën e vet dhe shtoi:
“Në datën 20 është çuar kërkesa prokurorisë për ta rimarrë edhe njëherë këtë provë, si indicie për të zbardhur një nga 4 vrasjet, e Aleks Nikës, është e pa ezauruar. Fatkeqësisht drejtësia e varrosi këtë cështje dhe ka lënë shumë pak hapësira për t’u vendosur drejtësia e vërtetë, një nga ato është mos ezauruimi i kësaj pjese”.
Të mërkurën Policia e Tiranës i dërgoi kërkesë Prokurorisë që të rihapet dosja.
Protestat e 21 janarit, gjatë së cilës 4 protestues u vranë nga Garda e Republikës pranë zyrës së Kryeministrit, erdhën pas bërjes publike të një videoje të fshehtë që ngriti akuza për korrupsion ndaj ish-Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Presidentit aktual Ilir Meta.
Kryeministri Rama premtoi në 2013 drejtësi për viktimat por pas zgjedhjeve të atij viti u bashkua në koalicion me Metën dhe formuan qeverinë. Më pas, në vitin 2017, Ilir Meta u bë President.
Për 4 të vrarët në bulevard janë dënuar me një vit burg ish-komandantin e gardës Ndrea Prendi dhe me tre vjet burg ish-gardistin Agim Llupo, me akuzën fajtor për vrasjen nga pakujdesia.
Qeveria Rama në vitin 2017 vendosi të japë kompensim për familjet e dy prej të vrarëve.
Gjatë këtyre viteve dosja nuk është rihapur ndërsa vazhdimisht ka patur akuza mes palëve politike për përgjegjësinë e vrasjes së protestuesve.