Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj bëri sot publik shumën e dhurimeve në para që janë bërë nga qytetarët dhe bizneset për përballimin e pasojave të tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.
Gjatë mbledhjes së Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, zoti Ahmetaj njoftoi se deri tani janë mbledhur:
- 65,57 milionë lekë nga 6165 dhurues në portalin e-Albania;
- 414,2 milionë lekë dhuruar përmes bankave ose formave të tjera;
- 8,64 milionë euro dhuruar përmes bankave ose formave të tjera;
- 1,01 milionë dollar dhuruar përmes bankave ose formave të tjera;
- 21 milionë euro të premtuara nga BE, BERZH, Kosova, Emiratet e Bashkuara, Hungaria etj.
Zoti Ahmetaj tha se qeveria aktualisht po punon që brenda janarit të ketë përfunduar draftin me kostot totale të tërmetit, gati për Konferencën e donatorëve, ndërsa rindërtimi do të fillojë më vonë:
“Brenda janarit duhet të kemi draftin përfundimtar që kur të jemi duke diskutuar dhe duke iu afruar datës së Konferencës së Donatorëve të kemi draftin final.
Fillimi i prillit do të jetë fillim i ndërtimit masiv në territor, ndërsa në zonat rurale të jetë gati dy muaj më përpara.”
Ai shtoi se gjatë kësaj periudhe është bërë pastrimi i Durrësit dhe Tiranës nga rrënojat, ndërsa në Thumanë po punohet ende.
Ministri Ahmetaj njoftoi se qeveria ka hartuar një paketë me lehtësi fiskale për kompanitë që do të përfshihen në Programin e Rindërtimit, si për shembull përjashtimi nga pagimi i TVSH-së, taksa e ndikimit në infrastrukturë.