Zgjedhjet e ardhshme janë pas pesë muajsh dhe Shqipëria ka hyrë në fazën e rradhës të inagurimeve elektorale. Por këtë herë inagurimet kanë një specifikë: po zhvillohen nën kuadër të rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019, që shkaktoi 51 viktima, mbi 750 të plagosur dhe qindra ndërtesa të rrënuara.
Siç e ka theksuar shpesh dhe ministri i Rindërtimit Ahmetaj, rindërtimi nuk është thjesht program social për të ndihmuar njerëzit, ai është një proces politik me qëllim të qartë:
Rindërtimi duhet të tregojë se — Partia Socialiste dhe Edi Rama — janë forca të përgjegjshme që e mbajnë fjalën.
Për këtë qëllim, procesi i rindërtimit është planifikuar dhe po propagandohet për t’i ndikuar njerëzit të votojmë PS-në dhe Edi Ramën, në zgjedhjet e ardhshme.
Në emisionin “Me pak Fjalë”, të enjten u theksua sado cinike që të tingëllojë—tërmeti fatkeq ka qenë mundësi e artë politike për qeverinë dhe Edi Ramën: ai ndodhi në kohë perfekte politike,
Mjaftueshëm kohë para zgjedhjeve për të planifikuar dhe shfrytëzuar rindërtimin si kartën kryesore të zgjedhjeve të ardhshme.
Sigurimi i fondeve
Sfida e parë e qeverisë në këtë drejtim ishte sigurimi i fondeve për rindërtim. Qeveria përfitoi nga ndihma e huaj duke marrë qindra milionë euro mbështetje falas dhe hua. Përfitoi gjithashtu nga solidariteti politik për të marrë borxh në mënyrë ta pakufizuar.
Siç e kemi theksuar dhe më parë, vetëm gjatë këtij viti qeveria Rama ka marrë gati 1 miliardë euro borxh, një shumë që nuk do të mund të merrej në një gjendje normale.
Gjysmën e borxhit: 62 miliardë lekë ose rreth 500 milionë euro nga buxheti i shtetit, qeveria e ka angazhuar për rindërtimin për vitin 2020 dhe 2021.
Rreth gjysëm miliardë euro të tjera janë financime të huaja, për rindërtimin, pjesa më e madhe dhuratë, të menaxhuara jashtë buxhetit të shtetit.
Pra në total, qeveria ka arritur të sigurojë nga buxheti dhe donatorët rreth 1 miliardë euro për rindërtimin.