“Kushtet për negociatat e Shqipërisë nuk i formulon parlamenti gjerman, por Komisioni Evropian” kështu është shprehur së fundmi ministri gjerman i Shtetit për Evropën, Michael Roth, i cili ka theksuar se Shqipëria nuk do të ketë “procedurë pranimi të klasit të dytë”.
Në fund të muajit shtator parlamenti gjerman ra dakord për të votuar pro hapjes së negociatave me Shqipërinë në votimet e 15 tetorit që do të mbahen në Këshillin Evropian. Por vota pro ishte e kushtëzuar me krijimin e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe miratimi i reformës zgjedhore. Sipas parlamentit gjerman këto duhet të realizohen përpara fillimit të procesit praktik të negociatave.
Sidoqoftë në një intervistë për Deutsche Welle Ministri Roth ka saktësuar se kushtet përfundimtare i vendos Komisioni Evropian:
Bundestagu nuk mund të formulojë kushte. Kushtëzimi vjen nga Komisioni i BE-së pas konsultimit me të gjitha shtetet anëtare. Nuk mund të ketë rregulla speciale. Por, nga këndvështrimi i Bundestagut janë me rëndësi si kompletimi me numrin e duhur të gjyqtarëve i gjykatave më të larta, ashtu edhe ligji i ri zgjedhor. Reforma zgjedhore ka kohë që është në diskutim. Këtu ka përgjegjësi jo vetëm qeveria, por, natyrisht, edhe opozita dhe opozita tani duhet të hapet dhe të ketë një qëndrim konstruktiv. Ajo nuk duhet të vërë bllokada.
Mua më ka konfirmuar qeveria shqiptare se do ta konsultojë draftin e saj me OSBE/ODIHR-in. Në këndvështrimin tim, kështu do të sigurohet plotësimi i kushtit që kërkon që ligji zgjedhor të marrë parasysh edhe kërkesat e OSBE-së. Pastaj pjesa tjetër është në dorë të deputetëve. Mund të shpresoj vetëm se përkundër klimës shumë të helmuar dhe të polarizuar në Shqipëri, të gjitha partitë, përfshirë edhe opozitën, tani do të jenë të gatshme të marrin një qëndrim konstruktiv.
Ne kemi nevojë për një proces gjithëpërfshirës, kemi nevojë për kompromise, në mënyrë që projekti i anëtarësimit në BE të mos dështojë. Por nuk janë kushte të reja, ato tani do të përmbushen shumë shpejt, kështu që për Shqipërinë nuk do të ketë një procedurë pranimi të klasit të dytë. Përkundrazi. Çdo gjë do të shkojë mirë.
Në fakt ministri Roth është shprehur prej kohësh për kushte shtesë për Shqipërinë. Në shkurt ai foli për 5 kushte megjithëse ishte pro hapjes së negociatave. Kjo ide u fol edhe më tej në maj, por duhet thënë se prej Gjermanisë ka patur gjithmonë qëndrim pozitiv për zgjerimin e BE-së me anëtarësimin edhe të Ballkanit Perëndimor.
Këtë ide e përcolli sërish edhe Roth kur tha se “Ballkani Perëndimor nuk është oborri i pasëm i Evropës, por është oborri i brendshëm i saj”.