Monitor citon, nga burime zyrtare të Bankës së Shqipërisë, se në vitin 2015 sistemi bankar ka fshirë nga bilancet e veta, të paktën rreth 27 miliardë lekë kredi të pashlyera (pothuajse 200 milionë euro).
Por, megjithatë, totali i kredive të këqija ka rënë me vetëm 13 miliardë lekë (rreth 95 milionë euro). Kjo do të thotë se, gjatë vitit 2015, volumit të kredive të këqija i janë shtuar të paktën 14 miliardë lekë, pra më shumë se 100 milionë euro.
Sikurse kemi shkruar më parë, një rregull i ri kontabiliteti i lëshuar nga Banka e Shqipërisë u lejoi bankave të fshijnë nga bilancet një pjesë të kredive të këqija në portofolin e tyre. Bankat e kanë bërë këtë gjë në vlerën 200 milionë. Por, duket se gjatë vitit 2015 janë maturuar dhe nuk kanë fillaur të paguhen apo kanë ndërprerë pagesat kredi me vlerë totale prej rreth 100 milionë euro, duke ja shtuar këtë shumë volumit aktual të kredive të humbura apo që nuk po shlyhen.
Kjo situatë është alarmantë po të kihet parasysh se kreditë e hequra nga bilancet janë gjithsesi kredi të humbura. Bilanci është akoma më negativ për shkak të rënies së përgjithshme të nivelit të kredisë, që do të thotë që tashmë pesha e kredive të këqija në totalin e kredisë është rritur ndjeshëm.
Situata nuk duket optimiste edhe për të ardhmen. Të dhënat e janarit 2016, të nxjerra nga Shoqata e Bankave, tregojnë se volumi i kredive standarte ka shënuar një rënie të fortë, që nënkupton se, në mungesë të injektimeve të fuqishme nga jashtë, treguesi i kredive të pashlyera mund të shënojë një rritje të fortë në muajt e ardhshëm.
Ndërkohë, qeveria vazhdon të përgatisë instrumenta ligjorë për të menaxhuar krizën e kredive të këqija, kryesisht për t’u dhënë më shumë fuqi bankave në menaxhimin e garancive të marra nga debitorët e këqinj. Qeveria bashkë me Bankën e Shqipërisë po përgatisin, gjithashtu, në fshehtësi një plan për të shpëtuar disa nga kreditorët më të mëdhenj, që janë ndërkohë edhe disa nga klientët më të mëdhenj të qeverisë.
Por nga ana tjetër, nuk ka asnjë plan për të ndërhyrë në ekonominë e vërtetë, për të përmirësuar strukturën dhe institucionet e ekonomisë së tregut.
Si përherë, është më e lehtë të trukosh llogaritë sesa të përballesh me realitetin.