Qytetarët shqiptarë do të paguajnë më shumë taksa për banesat e tyre, nga janari 2018. Qeveria Rama ka propozuar, në paketën fiskale 2018, që tatimi mbi banesat të jetë përqindje e vlerës së tyre dhe jo një taksë në shumë fikse si deri më tani.
Ky ndryshim do të sjellë të paktën një rritje prej 1500 deri në 3000 lekë në vit për çdo familje. Të ardhurat nga kjo taksë do të mblidhen nga pushteti lokal. Le të marrim një shembull konkret për të kuptuar më qartë ndryshimin në taksën e shtëpisë:
Taksa sot
Aktualisht, taksa për shtëpinë është 15 lekë për metër katror për një shtëpi të ndërtuar para vitit 1993, dhe 30 lekë për metër katror për një shtëpi të ndërtuar pas vitit 1993.
Pra, një familje që jeton në një apartament me sipërfaqe 100 metra katrorë, kudo në Tiranë, paguan 1500 lekë në vit nëse shtëpia është ndërtuar para vitit 1993, ose 3000 lekë në vit nëse shtëpia është ndërtuar pas vitit 1993. Kjo taksë paguhet e ndarë në 12 muajt e vitit.
Taksa sipas paketës fiskale 2018
Në variantin e paketës fiskale 2018 që po diskutohet aktualisht në komisionet parlamentare, Qeveria Rama parashikon që taksa për shtëpitë të jetë sa 0,05 për qind e çmimit mesatar fiskal.
Ky çmim është përcaktuar nga qeveria Rama gjatë procesit të rivlerësimit të shtëpive, proces i përfunduar në maj të këtij viti.
Këto çmime reference ndryshojnë në zona të ndryshme të Tiranës dhe janë çmimet që përdoren nga zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në rastet e shit-blerjeve të banesave.
Më konkretisht Tirana ndahet në 11 zona të ndryshme, të cilat brenda tyre kanë disa nën ndarje sipas zonave kadastrale, dhe çmimet e referencës variorjnë nga 60 mijë lekë në 190 mijë lekë për metër katrorë.
Pra, një familje që jeton në një apartament 100 metra katrorë të ndërtuar pas vitit 1993, tek zona Komuna e Parisit (ku çmimi i referencës është 107 mijë lekë për metër katrorë), më parë paguante 3000 lekë në vit, ndërsa tani do të paguajë 5350 lekë, pra 2350 lekë më tepër.
Vetëm në rastet kur qytetarët e Tiranës banojnë në një apartament 100 metra katrorë në ato zona ku çmimi i referencës është 60 mijë lekë (Porcelan, Kinostudion, Linzë, Bregu i Lumit, Allias, “5 maji”) taksa e shtëpisë shkon 3000 lekë në vit, pra e barabartë me taksën aktuale për shtëpitë e pas vitit 1993. Për të gjithë banorët e zonave të tjera, taksa e shtëpisë në vitin 2018 do të rritet.