Rudina Hajdari do të dorëzojë, të enjten, në Kuvend, propozimin e saj për lista 100 për qind të hapura. Ajo i bëri thirrje të gjithë deputetëve të opozitës parlamentare që t’i bashkohen kauzës së saj për t’i dhënë mundësi qytetarëve të vendosin vetë përfaqësuesit e tyre:
‘Kemi nënshkruar një propozim për listat 100 përqind të hapura dhe depozitohet sot në Kuvend. Ftoj të gjithë opozitën të nënshkruajnë këtë propozim që do të hapë 100 përqind listat. Ajo që është e rëndësishme është vota e qytetarëve e cila është prioritet në mënyrën e llogaritjes së mandateve.’
Një tjetër kërkesë e Hajdarit është heqja e pragut zgjedhor. Sipas saj, ndryshimi i bërë nga shumica socialiste në 30 korrik, për të vendosur prag kombëtar, në një sistem rajonal, dëmton shumë partitë e vogla.
Hajdari tha se propozimi i saj i plotë do të bëhet publik për median shumë shpejt.
Exit News ka shkruar më parë për ndryshimin kushtetues të bërë nga socialistët për sa i përket pragut kombëtar:
Vendosja e pragut kombëtar: ndryshimet kushtetuese përcaktuan se sistemi zgjedhor pavarësisht se është rajonal do të ketë “prag kombëtar”.
Kjo do të thotë se edhe nëse arrijnë të marrin vota mjaftueshme për të futur një deputet në ndonjë nga zonat zgjedhore, por nuk arrijnë të marrin vota sa është pragu kombëtar, partia nuk e fiton vendin në Kuvend.
Sa do të jetë ky prag do të përcaktohet në Kodin Zgjedhor. Deri tani, Kushtetuta nuk përcaktonte prag kombëtar.