Rumania ka më shumë se një javë që zjen nga protestat masive të organizuara nga emigrantët dhe aktivistet e shoqërise civile. Pamjet dramatike të policëve që përleshen me qytetarët arritën të depërtojnë dhe vapën topitëse shqiptare si për të na vënë në dukje apatinë e panatyrshme të një shoqërie akoma dhe më problematike se sa ajo rumune. Dy vitet e fundit Rumania ndodhet në vorbullën e turbullirave sociale për shkak të korrupsionit galopant dhe iniciativave të dyshimta legjislative nga ana e ekzekutivit për të amnistuar zyrtarët e lartë të dënuar pikërisht për korrupsionin, që gërryen nga viti në vit efiçensën e administratës rumune. Jo më kot dhe në Shqipëri, modeli rumun është artikuluar rëndom në qarqet politike të kohës, Qeveria e ka përdorur reformën rumune të drejtësisë si një prej bulonave të shumtë të makinerisë propagandistike. Opozita ka shfrytëzuar virilitetin e atjeshëm për ta paralajmëruar mazhorancën se arroganca ndaj opozitës dhe popullit mund ta fusë vendin në një spirale të rrezikshme konflikti. Sidoqoftë, ne dhe Rumania kemi një historik të gjatë paralelizmash ku padyshim vendi ynë zë vendin e aspirantes, teksa Rumania prej vitesh gëzon pozitën e vendit për t´u marrë shembull.
Kontributi i rumunëve në zhvillimet politike dhe kulturore në Shqipëri fillon që nga kolonia shqiptare e Bukureshtit e deri te ekzekutimi spektakolar i çiftit Caushesku. Të parët ishin ata që shkrinë pasurinë e tyre për të garantuar një Shqipëri të lirë e të mos varme. Të dytët, me vdekjen e tyre, ndaluan në mënyrë indirekte gjakderdhjen në Shqipëri dhe frymëzuan përmbysjen finale të diktaturës staliniste. Sigurisht që të dytët lanë mbresë në popullin e përgjumur tiranas. Në 29 janar 1990, një turme e konsiderueshme njerëzish marshoi qetësisht bulevardin qëndror të Tiranës në shenjë solidariteti me 1000 viktimat e Sheshit Fitore në Bukuresht. Kjo ishte protesta e parë kryeqytetase, por padyshim jo e fundit. Përpos hijes se qindra mijërave njerëzve që shkelnin pllakat e bulevardit, providenca lëshoi hijen e Causheskut mbi kokat e Ramiz Alisë dhe byroistëve të tjerë të kohës, Ajo demonstratë i kumtoi regjimit se shtypja e egër dhe gjaku i derdhur do të kthehej në fundin tragjik jo vetëm për ta por dhe për familjet e tyre.
28 vite më parë, heroizmi i popullit rumun dhe atij hungarez në Timisoara zgjoi dëshirën e shqiptarëve për një regjim demokratik ku liritë dhe të drejtat e njeriut nuk kufizoheshin prej kurrfarë kornize ideologjike. 28 vite më vonë protesta rumune zgjoi racizëm dhe mazohizëm: racizmin në përçmimin ndaj një populli emigrant me të njëjtat halle dhe probleme si ne; mazohizëm sepse përcmimi i aspiratës së rumunëve për një qeveri të pastër nga korrupsioni fsheh padijen e paaftesinë tonë për minimalen e asaj ç’ka rumunët kërkojnë. Fatkeqësisht shqiptarëve ka filluar t´iu pëlqejë këneta ku ata dhe fëmijët e tyre mbijetojnë mes zhurit të politikës. Çdo gjë që ndodh përtej kufijve të fermës që sundohet nga një dorë e fortë derrash është e huaj dhe e pakuptimtë për ne. Çdokush që vjen dhe përpiqet të na shkundë është spiun, komunist, i paguar, inferior dhe kurrsesi i aftë për të na treguar rregullat bazë të demokracisë dhe shtetit ligjor. Kjo alergji për çdo gjë të huaj na kthen pas në kohën e monizmit; alergjia për të panjohurën si simptomë e inferioritetit kronik prej së cilës shqiptarët vuajnë tash e shumë vite