Gazetari Peter Tiede, autor i artikullit të fundit në gazetën Bild, i cili akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij për blerjen e votave dhe për lidhje me krimin, dha sot një deklaratë në përgjigje të akuzave të qeverisë se ai ishte paguar nga opozita.
Tiede deklaroi sot për Exit.al:
“Me sa duket deputetes [Blerina Gjylameti] i mungon imagjinata për të kuptuar se çfarë është një shtyp i lirë. Të akuzosh një gazetar nga një vend tjetër, ku ka liri të vërtetë të shtypit, se ka marrë para – kjo është një çështje për të cilën ajo duhet të merret me veten e saj.”
Duke komentuar mbi gjendjen e dobët të lirisë së medias në Shqipëri, ai vazhdoi:
“Gazetarët paraqesin realitetin, tregojnë atë që është në realitet – ata bëjnë kërkime dhe dokumentojnë (gjendjen). Shumë shpesh kjo nuk është e mundur për gazetarët shqiptarë,”
Tiede më tej vuri në dukje faktin se denoncues të krimeve dhe oficerë policie që kryenin hetime kundër krimit janë vënë nën arrest shtëpie në Shqipëri, pa pasur akuzë ndaj tyre, ose janë detyruar të kërkojnë azil politik në Zvicër, Finlandë dhe Hollandë, vetëm sepse kanë qenë duke bërë punën e tyre.
Duke ju referuar deklaatës së Gjylametit, Tiede u shpreh:
“Sa budalla e kujton zonja popullin e saj dhe mua? Pse kjo politikane e Partisë Socialiste kërkon ta tërheqë popullin e saj përmes baltës?”
“Nëse ajo nuk mund të mendojë asgjë më të mirë për të thënë se qëllimi im paskësh qenë që ta përshkruaj nën një dritë të keqe këtë vend kaq të bukur – që fatkeqësisht është bërë “Kolumbia e Evropës” – atëherë ajo e ka shumë gabim.”
Gazetari i shtroi edhe disa pyetje ndaj Gjylametit— A ishte në gjendje ajo të shpjegonte hovin e pazakontë në ndërtime në qytete si Vlora? Po faktin pse taksat e mbledhura janë aq të ulëta pavarësisht këtij hovi? Apo ku i gjejnë vallë anëtarët e partisë së saj “aq shumë para” sa demosntrojnë që kanë?
Ai gjithashtu shtroi pyetje edhe për përhapjen e rritjes së marijuanës në të gjithë vendin dhe për faktin se ka shumë ndjekje penale kundër trafikantëve shqiptarë të drogës në Gjermani, Zvicër, Spanjë, Holandë dhe Britani të Madhe, por jo në Shqipëri.
Tiedeu shpreh:
“Ndoshta në vend të akuzave ndaj meje zonja mund të kujdeset për këto [çështje], pasi qytetarët shqiptarë e paguajnë atë pikërisht për të bërë këtë gjë. Ah, dhe nëse ka kohë, ajo mund të merret edhe me çështjen Tahiri dhe të sigurohet që gjykata do të japë një vendim në liri të plotë; apo të merret edhe me Gjykatën Koushtetuese, Gjykatën e Lartë, me kthimin e kushtetueshmërisë në vend dhe me garantimin e lirisë së shtypit.”
Tiede tha se pasi deputetja të merrej me të gjitha këto, atëherë ajo mund të kishte të drejtë t’i hidhte baltë atij, pavarësisht faktit se këto probleme janë reale dhe gazetari veçse ka shkruar të vërtetën.
Ai mohoi të jetë takuar me ndonjë ish-deputet të opozitës, me përjashtim të ish-ministrit të qeverisë Rama (Ylli Manjani) gjatë mbrëmjes së fundit të vizitës së tij në Shqipëri.
Artikulli i botuar në gazetën Bild—gazeta më e lexuar në Evropë—e përshkroi Shqipërinë si “shembulli më i qartë i një vendi kaotik në duart e një gangsteri”.
Duke shtuar se ka diçka që shkon “seriozisht keq në këtë vend”, artikulli pohon përgjimet e dala në shtyp tregonin prova se deputetë, përfshirë vetë Ramën, kishin bashkëpunuar (me kriminelë) për të blerë vota para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017.
Artikulli gjithashtu jepte detaje për luftën kundër drogës, duke deklaruar se ajo është penguar nga korrupsioni brenda policisë dhe politikës.
Deputetja e Partisë Socialiste Blerina Gjylameti dha një deklaratë pas artikullit të Bild, në të cilën la të kuptohej se artikulli ishte paguar nga opozita, me “para të pista nga vende të huaja”.
Ajo tha se “balta dhe shpifja” e botuar në mediat ndërkombëtare ishte pjesë e strategjisë së opozitës.
Përgjigja standarde e qeverisë shqiptare ndaj kritikave të gazetarëve të huaj duket se është t’i akuzojë ata se janë të paguar nga opozita me para që vijnë nga një vend i tretë si Rusia.
Exit.al ka mësuar gjithashtu se, në të paktën dy raste, ambasadorë shqiptarë në vende perëndimore kanë takuar redaktorë të mediave që kanë publikuar artikuj kritikë ndaj qeverisë, duke u përpjekur t’i bindin ata t’i tërheqin artikujt ose t’i censurojnë gazetarët.