Sa do të heshtë BE për "Reformën Administrative" të Ramës?

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Sa do të heshtë BE për "Reformën Administrative" të Ramës?

Vetëm dy javë më parë, Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin pranoi për herë të parë publikisht “pesë prioritetet kyçe” që Shqipëria duhet të plotësojë për të hapur negociatat për anëtarësimin në BE, e nxitur nga një deklaratë e ngjashme e bërë përpara zgjedhjeve parlamentare nga Shtetet e Bashkuara dhe nga disa prej vendeve të BE.

Dje, Komisioneri për Zgjerim i BE-së Johannes Hahn deklaroi se aktualisht BE po zhvillon negociata vetëm me Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa vendet e tjera, përfshirë dhe Shqipëria, duhet të presin. Sot eurodeputeti McAllister, po ashtu një prej negociatorëve mes Ramës e Bashës, u shpreh se negociatat mes Shqipërisë dhe BE-së nuk do të fillojmë më herët se viti 2018, pavarëisht se menjëherë PS premtoi të kundërtën gjatë zgjedhjeve.

Në përgjithësi, legjitimiteti i qeverisë së re të Kryeministrit Rama është i ulët. Megjithëse fitoi një shumicë të lartë prej 74 mandatesh në kuvend, PS mezi arriti të fitonte pak më tepër vota krahasuar me votat e vitit 2013; PS fitoi 48 për qind të votës popullore në zgjedhje ku abstenimi I qytetarëve arriti nivele historike. Kështu në vend që të ecte në rrugën e institucioneve demokratike, Kryeministri Rama vendosi të kombinojë prioritetin e BE-së për “reformën administrative” me një përpjekje për të rivendosur legjitimitetin e tij drejtpërdrejti tek “njerëzit e thjeshtë”. E kështu lindi strategjia e tij post-zgjedhore “Bashkë-qeverisje direkte me njerëzit”.

Ashtu siç shkruante dhe Fatos Lubonja dje, “bashkë-qeverisja e drejtëpërdrejtë me njerëzit” është një sulm i burokracisë, institucioneve shtetërore dhe sundimit të ligjit në Shqipëri në shërbim të “pagabueshmërisë së udhëheqësit suprem”. Lubonja na tregon një gjenealogji të kësaj strategjie, duke e krahasuar atë me Revolucionin Kulturor në Kinën e Maois apo Revolucionin Kulturor dhe Ideologjik në Shqipërinë e Hoxhës:

“Është periudha kur [Enver Hoxha] mbajti fjalimin e famshëm ‘Kur flet klasa (punëtore) nuk flet burokratizmi’, që qe një goditje kundër Mehmet Shehut, kur hoqi edhe gradat e ushtarakëve dhe kur institucionet e shtetit, deri edhe ato të studimeve shkencore, u vunë nën një presion të madh të fletërrufeve që bënin njerëzit e popullit (gjoja nga poshtë, por të nxitur nga lart.)”

Si për ironi të fatit, Kryeministri Rama publikoi dje “fletërrufenë” e parë të qeverisjes së tij të drejtëpërdrejtë me popullin: një listë e zezë me rreth 100 zyrtarë publikë që “nuk janë sjellë mirë” ndaj qytetarëve. Ja pra në të vërtetë, kur njerëzit e thjeshtë flasin, burokracia hesht. Por edhe pse duket se është produkt i njerëzve të zakonshëm, fushata e Ramës kundër burokracisë e zyrtarëve është nxitur me të vërtetë nga lart.

Siç dhe Lubonja sqaron:

“Sigurisht, kush e ka marrë seriozisht se Edi Rama ka nevojë vërtet të dëgjojë ankesa e kritika të njerëzve të popullit që të përmirësojë punën e tij, gabohet. Po të kishte nevojë vërtet për të dëgjuar kritika, dhe t’i merrte ato seriozisht, ai do të vraponte tek Erion Veliaj, sapo të shihte qytetarët duke protestuar për parkun që u rrëmbeu fëmijëve pa pikë turpi një javë, pasi u rrëmbeu votën. Jo. Kjo qeverisje direkt me popullin duke anashkaluar institucionet është krejt tjetër gjë nga mirëqeverisja, është bash forma ekstreme e keqqeverisjes.”

Në vend që të tërhiqej pas akuzave dhe kritikave të opozitës dhe të njerëzve që u sulmuan nga kjo listë, Kryeministri Rama – me një stilt ë ngjashëm me atë të Trumpit, – e ashpërsoi tonin kundër “luleve mos më prekë”:

“Platforma online e Bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm PER SHQIPERINE QE DUAM, e cila do të hapet me fillimin e punës së qeverisë së re, do të jetë ferri i kujtdo që paguhet nga shteti dhe abuzon me njerëzit e zakonshëm, jo vetëm duke u futur duart në xhepa po qoftë edhe duke u sjellë pa etikë me ta. Dhe nuk do të jetë një ferr thashethemesh digjitale nga qytetarë digjitalë që nuk tregojnë identitetin e tyre, po do të jetë ferri i një koalicioni të madh kundër tepsixhinjve, harbutëve dhe parazitëve që paguhen nga taksat tona dhe pa pikën e turpit abuzojnë sa herë u del në shteg njeriu i zakonshëm me hallin e tij!”

Sa kohë do t’i duhet Bashkimit Europian të kuptojë se katër vitet e “tundjes” së karrotës së anëtarësimit në BE para hundës së Ramas – duke i thënë “bëj vetëm vettingun”, nismë kjo që tashmë u kthye në “krijojmë një Zonë Ekonomike Rajonale”, ka shkaktuar një “reformë të tillë administrative”?

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>