Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave për hyrjet daljet nga territori i vendit janë ose krejtësisht alarmuese ose krejtësisht të pa sakta. Sipas INSTAT, që përpunon të dhënat e marra nga policia, numri i hyrje-daljeve në kufi ka një diferencë të madhe në favor të daljeve, sikurse duket në tabelën më poshtë.
Sipas të dhënave, nga viti 2013 deri në fund të shtatorit 2015 kanë dalë nga Shqipëria një milionë persona me shumë se sa kanë hyrë. E gjithë diferenca përbëhet nga nënshtetas shqiptarë, pasi diferenca e nënshtetasve të huaj është vetëm rreth 3t mijë dalje më shumë se hyrje.
Shtatë pyetje për qeverinë në dy skenarë
Nëse të dhënat e publikuara nga INSTAT janë të vërteta:
1. Sa persona jemi akoma në Shqipëri?
2. Edhe sa vite duhet që të migrojnë të gjithë e në vend të mbeten vetëm qeveritarët?
3. A po mendon qeveria ta ndalojë këtë dukuri?
4. Si?
5. Pse deklaroi Ministri Tahiri se emigrantët në Gjermani u nisën nga Greqia?
6. Si mundet në këto kushte të ikjes masive të popullsisë të parashikohet që prodhimi i vendit të rritet me 3,4 për qind në vitin 2016?
7. Sa taksa duhet akoma të paguajmë pas pak vitesh ato pak qytetarë që do të kenë mbetur?
Nëse të dhënat e INSTAT nuk janë të vërteta:
1. Sa jemi realisht në Shqipëri?
2. Mbi çfarë të dhënash vendosi Ministri Tahiri të përgënjeshtronte qeverinë gjermane mbi daljet nga kufiri?
3. Si mundemi në një periudhë kërcënimesh terroriste të mos dimë se kush hyn e del nga vendi?
4. Si të besojmë që Ministria e Brendëshme e ka situatën nën kontroll, kur ajo nuk mundet të identifikojë apo monitorojë kriminelë të dyshuar apo të kërkuar nga autoritetet vendase e të huaja?
5. Si mund të flasim për analiza ekonomike dhe politike nëse nuk mbledhim e mbajmë dot të dhëna të sakta?
6. Nëse nuk dimë se sa është numri i banorëve, si mund të dimë se kush, ku dhe sa taksa duhet të paguajë? Po sa turistë kemi?
7. Kush ka votuar realisht në zgjedhjet e fundit?