Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dha sot dorëheqjen nga detyra e tij.
Kryeministri Rama me dorëheqjen e Ministrit Tahiri ka vrarë tre zogj me një gur:
- Kryeministri kënaqi komunitetin ndërkombëtar, i cili ka shprehur shqetësim të vazhdueshëm për rritjen e krimit të organizuar, trafikun e drogës dhe korrupsionin. Me ikjen e Zotit Tahiri, ai tregoi se i merr seriozisht shqetësimet e ndërkombëtarëve;
- Ai forcoi koalicionin me drejtuesin e LSI Ilir Meta. Kryetari i Kuvendit dhe ministrat e LSI-së në qeveri kanë sulmuar hapur ministrin Tahiri. Dorëheqja e tij sheshon disa nga pakënaqësitë e koalicionit qeverisës;
- Ai e pasoi topin në fushën e opozitës. Tani opozita duhet të ulë tonet e bisedimit duke i dhënë fund bojkotit të Kuvendit dhe të votojë institucionet e vetingut, bojkotin e zgjedhjeve ose (gjë e cila duket e pamundur) të dyja bashkë.
Gjithashtu, Partia Demokratike ka kërkuar disa herë largimin e Saimir Tahirit nga posti i Ministrit të Brendshëm. PD e ka akuzuar ministrin Tahiri si të lidhur ngushtë me bandat kriminale e me trafikantët e drogës, mes të cilëve Emiljano Shullazin, Klemend Balilin e vëllezërit Habilaj.
Para disa ditësh nga çadra e protestës përpara Kryeministrisë, Zoti Basha u shpreh i vendosur se nuk do të pranojë dorëheqjen e Ministrit Tahiri si zgjidhje për hyrjen në zgjedhje.
“Ne nuk jemi këtu të pranojmë koka turku. Mbaje Saimir Tahirin. Zgjidhja është largimi yt dhe i qeverisë tënde. Zgjidhu nga karrigia ku të ka lidhur krimi dhe hapi rrugë qeverisë teknike për zgjedhje të lira e të ndershme”, — u shpreh Zoti Basha.
Flitet se Kryeministri Rama do të emërojë Ministër të Brendshëm Zëvendkryeministrin Niko Peleshi.