Gazetarja e News 24 Klodjana Lala raportoi sot në mesditë disa nga dëshmitë që ka paraqitur prokuroria në gjyqin kundër ish-Ministrit Saimir Tahiri, si dhe pretendimet e këtij të fundit përballë tyre.
Ish-Ministri Tahiri dyshohet se duke favorizuar bandën e Habilajve është përfshirë në trafik ndërkombëtar droge. Për këtë ai akuzohet për pjesëmarrje në organizata kriminale dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, akuza për të cilat Prokuroria kërkoi 12 vite burg.
Dëshmitë e prokurorisë:
- Oficerja me inicialet B.A ka udhëtuar mbi 10 herë në Itali me Habilajt dhe pretendon t’i kenë thënë se ata kanë “marrëdhënie speciale” me ish-Ministrin Tahiri.
- Punonjësi i policisë Naim Brahimaj ka pranuar njohjen me Tahirin dhe që në gusht të vitit 2014 ka vajtur në Korfuz (Greqi) për t’i rregulluar atij skafin 12 metërsh të quajtur Solemar, Tahiri ishte atje me familjen.
- Naim Brahimaj, Artan Habilaj dhe Aurel Konakçiu kanë vajtur në Greqi duke lëvizur me automjetin “Audi” të regjistruar në emër të Saimir Tahirit.
- Të nesërmen ata janë kthyer me skaf, ndërsa makinën “Audi” ia kanë lënë familjes Tahiri.
- Në përgjime të vitit 2014, mes Sabaudin Çelajt dhe Moisi Habilajt, ky i fundit thotë se: “Saimiri ka bërë 5 milionë euro në muaj”.
Sipas gazetares Lala, Prokuroria e lidh ish-Ministrin Tahiri me 4 raste trafiku të viteve 2013, 2014 dhe 2015.
Në gjyq ish-Ministri u mbrojt duke thënë:
- Favorizim? Më 2 tetor 2013 ndaj Moisi dhe Florian Habilajt nisëm procedim penal.
- U fikën radarët? Më 29 tetor 2013 i jam drejtuar me shkresë sekrete Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodhelit duke i komunikuar asaj se “radarët nuk punonin” (për më shumë lexo:Përgjimet e dosjes Habilaj hedhin dritë mbi “keqfunksionimin” e radarëve detarë).
- Kam pritur në zyrë një prej vëllezërve Habilaj? Ditën që pretendon prokuroria kam qenë në takim me Adriatik Llallën, Visho Ajazin dhe Ministrin e Drejtësisë Nasip Naço.
- Leard Çelaj nuk ka qenë më drejtor policie në Vlorë në kohën kur pretendon prokuroria dhe asgjë nuk më lidh me të.
Çështja ndaj Tahirit, është ngritur bashkë me ish-Drejtorin e Policisë Vlorë Jaeld Çela dhe ish-oficerët e policisë Sokol Bode e Gjergj Kohila. Të tre janë ende në kërkim.
Tahiri rezultoi i përfshirë kur në tetor të vitit 2017 erdhën informacione se emri i tij përmendej në përgjimet e prokurorisë italiane ndaj një grupi ku bënin pjesë Moisi Habilaj, Nazer Seiti, Meridian Sulaj, Fatmir Minaj dhe rreth 10 të tjerë shtetas të huaj.
Më 19 qershor të këtij viti, Moisi Habilaj, Nazer Seiti dhe Meridian Sulaj u dënuan me 31 vite burg.