Sali Berisha — Çfarë tha, çfarë nënkuptoi dhe si i ndikoi fatet e kampeve kundërshtare në PD

Nga Ilmi Rehova
Sali Berisha — Çfarë tha, çfarë nënkuptoi dhe si i ndikoi fatet e kampeve kundërshtare në PD

Qëndrimi i Sali Berishës ndaj zhvillimeve në PD, veçanërisht pas humbjes dramatike të zgjedhjeve, ka qenë një faktor i rëndësishëm për shumëkënd brenda dhe jashtë PD-së. Autoriteti i madh që ai gëzon në PD, besimi i përhapur në opinionin publik se ai i kupton dhe di më mirë se si janë gjërat, kanë bërë që shumë të prisnin mendimin e tij. Ndërkohë si një nga arsyet apo justifikimet kryesore për qëndrimet ashpra kundër Bashës, grupi anti-Basha ka nënkuptuar apo ka pohuar faktin se Berisha është i zhgënjyer dhe i revoltuar me Bashën, dhe nuk e mbështet më atë.

Një deklaratë e Zotit Berisha, ditën e votimit për zgjedhjet e brendëshme në PD, edhe pse legjitimoi procesin zgjedhor u duk sërish si e paqartë.

Por intervista e gjatë e mbrëmshme me Çim Pekën duket sikur nuk ka lënë më dyshime për qëndrimet e Sali Berishës ndaj Bashës dhe grupit kundërshtar të tij.

Çfarë tha Berisha

  • Çadra e PD-së ishte një gjetje e jashtëzakonshme e Kryetarit Basha për të realizuar aksionin politik kundër qeverisë Rama.
  • Marrëveshja Rama-Basha ishte një marrëveshje shumë e mirë dhe fitore e Bashës që arriti t’i rrëzonte Ramës gjysmën e qeverisë.
  • Lista e deputetëve ishte hartuar ekskluzivisht nga Basha pa konsultim me Berishën. Lista ishte miratuar në shkelje të statutit të partisë. Disa përjashtime nga lista ishin të pamotivuara. Berisha vetë do të kishte bërë një listë tjetër.
  • Basha gaboi në trajtimin e militantëve, pasi u mundua t’i japë çadrës imazhin e çadrës popullore, kur ajo ishte çadër partiake.
  • Edi Rama u tregua i zoti për ta përshkruar marrëveshjen si fitore të tij dhe për të krijuar përshtypjen se PS dhe PD kishin rënë dakord të bashkëqeverisnin pas zgjedhjeve. Kjo gjë largoi militantët e PD-së, shumë prej të cilëvë vendosën të bojkotinin zgjedhjet.
  • Këshilltarët e Lulzim Bashës që studionin opinionin publik dhe përgatitën mesazhet e tij elektorale dështuan plotësisht, sepse mesazhet e Bashës ishin të gabuara dhe nuk ngjitën në elektorat.
  • Të pakënaqurit nga vendimet e Bashës, përfshi vetë atë, duhet të gjejnë zgjidhjen brenda PD-së dhe jo të synojnë përçarjen e saj.
  • Të gjithë kundërshtarët ndaj Bashës kanë qenë zgjedhje e Berishës në politikë dhe ka qenë ai që i ka bërë ata deputetë dhe ka qene zgjedhja e Berishës t’i përfshijë ata në lista.
  • I takon Bashës të vendosë për të ndryshuar statutin e partisë dhe vetë partinë si reflektim ndaj situatës së tanishme.
  • Berisha vetë nuk do të ketë asnjëherë ndonjë rol apo ndikim në vendim-marrjen e PD-së e cila i takon e gjitha Bashës.

Çfarë u nënkuptua apo nënkuptoi Berisha

  • Berisha ka qënë mbështetës në mos bashkë-vendimarrës në të gjitha vendimet politike të Bashës, përfshi çadrën, marrëveshjen me Ramën dhe heqjen nga listat të ish-drejtuesve të lartë të partisë dhe qeverisë së PD-së.
  • Lulzim Basha është kryetar legjitim dhe i plotfuqishëm i PD-së dhe ka mbështetjen e plotë të Berishës.
  • Të pakënaqurit ndaj Bashës kanë të drejtë të jenë të pakënaqur sepse edhe vetë Berisha është, por ata duhet ta shprehin pakënaqësinë ashtu siç e shpreh Berisha, pra duke mos sulmuar personalisht Bashën dhe duke mos venë në dyshim legjitimitetin e tij si kryetar i PD-së. Kundërshtarët e Bashës nuk mund dhe nuk do të lejohen të sjellin përçarjen e PD-së.
  • Askush prej kundërshtarëve të Bashës nuk ka patur ndonjë të drejtë apo meritë mbi të tjerët për të qënë ai apo ajo pasues i Berishës në PD, ndaj asnjë prej tyre nuk mund të pretendojë se ka përparësi ndaj Lulzim Bashës në kontribute apo aftësi.
  • Në garën e vitit 2013, Sokol Olldashi dhe mbështetësit e tij (afërsisht grupi i tanishëm i kundërshtarëve të Bashës), kishin venë nën kontroll strukturat drejtuese të PD-së dhe e kishin të sigurtë marrjen e kryesimit të PD-së. Por ata ishin krejtësisht të shkëputur nga anëtarët e thjeshtë. Për këtë arsye, Berisha i cili favorizoi Bashën në garë, vendosi që zgjedhja e kryetarit të bëhej me metodën një-anëtar-një-votë dhe jo nga Kuvendi Kombëtar siç e kërkonte Statuti i partisë.
  • Lulzim Basha duhet të reflektojë për ato që kanë ndodhur dhe të nxjerrë mësime për zgjedhjet dhe vendimet që do të ndërmarrë në të ardhmen. vecanërisht, Lulzim Basha duhet të gjejë mundësi për të qetësuar dhe mobilizuar anëtarësinë e PD-së.

Çfarë sjell qendrimi i Berishës për përplasjen brenda PD-së

  • Lulzim Basha është legjitimuar si kryetari i padiskutueshëm i PD-së dhe pozicioni i tij është i paprekshëm të paktën deri në zgjedhjet e ardhëshme. Berisha nuk ka lënë asnjë hapësirë për të vënë në dyshim legjitimitetin e Lulzim Bashës në krye të PD-së. Ai nuk do të mbështesë asnjë përpjekje dhe asnjë njeri që kërkon largimin e Bashës dhe, mbi të gjitha, ai nuk do të falë askënd që për të luftuar Lulzim Bashën do të sjellë përçarjen e PD-së.
  • Kundërshtarët e Bashës tashmë kanë vetëm dy alternativa: ose të pranojnë të qëndrojnë në PD, pavarësisht pakënaqësive të tyre, që praktikisht do të thotë të mbyllin karrierën e tyre politike pa dëmtuar PD-në, ose të largohen prej saj menjëherë për të krijuar parti të tyren. PD është përfundimisht e mbyllur për ta.
  • Militantët dhe anëtarët e thjeshtë të PD-së, veçanërisht ata të cilët e identifikojnë PD-në me Berishën, tashmë e kanë të qartë se nëse janë me Berishën duhet të bashkohen dhe mbështesin Bashën.
  • Lulzim Basha, për tani, ka marrë gjithçka, por fati i tij politik është tashmë i lidhur me fatin elektoral të PD-së në zgjedhjet e ardhshme. Basha nuk ka më asnjë justifikim për një humbje tjetër zgjedhore dhe qëndrimi i tij në krye të PD-së pas një humbje të tillë do të ishte i pamundur pa shkatërruar realisht PD-në.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>