Dhomat e Specializuara bënë publike akuzat ndaj Salih Mustafa, të arrestuar sot për krime lufte. Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara akuzohet për ndalim arbitrar, trajtimin mizor, torturë të të paktën 6 personave, dhe vrasjen e njërit prej tyre, në periudhën midis 1 prillit dhe 19 prillit 1999, në Zllash, të Kosovës.
“Në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt”, vazhdon njoftimi i Dhomave të Specializuara.
Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali’ ishte komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
” Njësiti BIA kishte afërsisht 500-600 ushtarë të cilët vepronin kryesisht në zona të mëdha urbane si Prishtina dhe Obiliqi dhe përreth këtyre zonave, si dhe në rajonin e Gollakut në të cilin ndodhet fshati Zllash.
Gjatë të gjitha periudhave që lidhen me këtë aktakuzë, njësiti BIA vepronte nga një kompleks në Zllash që përfshinte një numër ndërtesash.
Njësiti BIA e përdori kompleksin si vendstrehim të sigurt dhe si qendër ndalimi dhe marrjeje në pyetje (‘kompleksi i ndalimit në Zllash’).
Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave që u mbajtën në kompleksin e ndalimit në Zllash.
Viktimat e këtyre krimeve ishin të gjithë shtetas të RFJ-së dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime”, shkruhet në aktakuzë.
Gjykatësi i procedurës paraprake e konfirmoi aktakuzën kundër Salih Mustafës më 12 qershor 2020, por aktakuza e konfirmuar nuk u bë publike në atë kohë. Për arsye sigurie, gjykatësi i procedurës paraprake urdhëroi që aktakuza të bëhej publike me redaktime.
Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte paraqitur aktakuzat e para në muajin shkurt të këtij viti dhe pastaj edhe një në muajin prill.