Sekretari amerikan i Shtetit mund të luftojë korrupsionin dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut duke përdorur dispozitën e nenit 7031 (c), i cili ndalon individët, që konsiderohen se janë të përfshirë në çështje të mëdha korruptive ose shkelës të të drejtave të njeriut, nga hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Shpallja së fundmi e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha ngre pikëpyetje në lidhje me procesin e sanksionimit të një individi sipas nenit 7031 (c): A duhet personi që hetohet të ketë të drejtën të përballet me akuzat përmes një procesi transparent? Pasi të sanksionohet, a duhet të ketë të drejtë aksesi në provat kundër tij?
Dispozita në fjalë u përfshi në legjislacionin e përvetësimeve të çështjeve të jashtme duke filluar në vitin 2018.
Sipas Seksionit 7031 (c), Sekretari i Shtetit është i autorizuar t’i ndalojë hyrjen në SHBA, zyrtarëve të huaj, për të cilët ekzistojnë informacione të besueshme që tregojnë se ata kanë qenë të përfshirë në “korrupsion domethënës”, përfshi korrupsionin në lidhje me përfitimin e burimeve natyrore, ose nëse këta individë janë të përfshirë në “shkeljen e rëndë të të drejtave të njeriut”.
Ndalimi i hyrjes vlen automatikisht për anëtarët e familjes së afërt të individëve të huaj në fjalë edhe nëse ata nuk kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejtë në aktivitete që sjellin sanksione.
Shpallja normalisht bëhet në mënyrë publike megjithëse Sekretari i Shtetit mund të zgjedhë ta bëjë atë “privatisht”.
Ajo është rezultat i një procesi të gjatë ndërinstitucional, me konkluzione të bëra nga Byroja e Departamentit të Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL).
INL është agjencia kryesore që mbledh të dhëna nga Departamenti i Shtetit, institucionet e zbatimit të ligjit, siguria, inteligjenca dhe agjencitë e tjera përkatëse nga qeveria federale dhe nivelet e tjera të qeverisjes. Sidoqoftë, shpallja nuk duhet të interpretohet domosdoshmërisht se përfshin ndonjë aktivitet të lidhur me narkotikët.
Ajo që është gjithashtu e rëndësishme për Seksionin 7031 (c) është se ndërsa shpallja nga Sekretari i Shtetit mund të bëhet publikisht ose privatisht, të gjitha të dhënat në lidhje me ndalimin e individit të sanksionuar nuk janë konfidenciale.
Kjo do të thotë se informacioni mund të merret publikisht përmes Aktit të Lirisë së Informacionit (FOIA).
Ky është një ndryshim i qartë nga politika dhe praktika e përgjithshme në lidhje me vendimin për lëshimin ose refuzimin e vizës, siç parashikohet në nenin 222 (f) të Aktit të Emigracionit dhe Kombësisë, i cili kërkon që të gjitha regjistrat në lidhje me lëshimin ose refuzimin e vizave amerikane të mbahen rreptësisht konfidenciale.
Seksioni 7031 (c) është një mjet i fuqishëm por ende i papërdorur i politikës së jashtme të SHBA.
Kërcënimi që zyrtarët e huaj mund të shpallen dhe turpërohen publikisht për përfshirje në korrupsion domethënës ose abuzime të të drejtave të njeriut dhe kërcënimi që anëtarëve të familjes u ndalohet hyrja në SHBA është një nxitje e fortë ose parandaluese e zyrtarëve të huaj.
Detyrimet e huaja dhe traktatet e ShBA-ve mund të krijojnë disa përjashtime për individët që mund të jenë shpallur publikisht.
Një përjashtim nga Seksioni 7031 (c) mund të bëhet nëse hyrja e mëvonshme e individit në vend çon përpara objektivat e zbatimit të ligjit të SHBA-së, nëse ka interesa bindës të sigurisë kombëtare, nëse rrethanat e caktimit të urdhërit kanë ndryshuar, ose nëse hyrja e individit përmbush detyrimet e SHBA sipas Marrëveshjes së Selisë së Kombeve të Bashkuara.
Administratat e republikanëve dhe demokratëve kanë patur qasje të ngjashme ndaj 7031 (c). Megjithatë, administrata të ndryshme mund të interpretojnë korrupsionin dhe abuzimet e të drejtave të njeriut në mënyra të ndryshme, duke pasqyruar përparësitë ose qëndrimet e tyre të politikës së jashtme ndaj vendeve të ndryshme. Administrata Trump shpalli si të korruptuar ish-Presidentin e Gambisë në 2018. Presidenti i Këshillit të Lartë Zgjedhor të Nikaragua u shpall si i përfshirë në korrupsion domethënës dhe serbi Goran Radosavljevic u shpall publikisht si shkelës i të drejtave të njeriut në vrasjen e tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë gjatë luftës në Kosovë.
Gjatë administratës Biden, Berisha u shpall nën nenin 7031 (c) si i përfshirë në korrupsion domethënës në mes të majit 2021. 7031 (c) u përdor gjithashtu për të shpallur ish-Prokurorin e Përgjithshëm të Sllovakisë të përfshirë në korrupsion të lartë; Oligarku ukrainas Ihor Kolomoyskyi u shpall në mars 2021. Një kongresmen paraguaian u shpall i korruptuar në prill 2021. Kongresmeni Boris Espana Carceres i Guatemalës dhe dy ish-ministrat e qeverisë nambiane u shpallën të përfshirë në korrupsion domethënës në qershor 2021.
Megjithatë, Administrata Trump përdori nenin 7031 (c) për qëllime të mëtejshme politike në Iran dhe Kubë. Në ditët e fundit të administratës Trump, në nëntor 2020, Sekretari i Shtetit Pompeo shpalli dy zyrtarë ushtarakë iranianë si shkelës të të drejtave të njeriut.
Në Kubë, në ditët e fundit të Administratës Trump iu ndalua hyrja Ministrit të Mbrojtjes Leopoldo Cintra Frias për shkelje të të drejtave të njeriut. Kjo u pasua nga etiketimi i Kubës si “sponsor i terrorizmit shtetëror”.
Kuba u rivendos në listën e vendeve të ndaluara edhe në 2015, nga administrata Obama u hoq nga lista e këtyre vendeve.
Përveç dispozitës 7031 (c), Urdhri Ekzekutiv 13818 i 20 dhjetorit 2017, i cili zbatoi Ligjin Global të Llogaridhënies për të Drejtat e Njeriut, Global Magnitsky (GMA), është një mjet tjetër për të luftuar korrupsionin dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. GMA përdor gjuhë shumë të ngjashme me 7031 (c). Sidoqoftë, ai lejon gjithashtu ngrirjen e pasurive dhe bllokimin e transaksioneve për individët që janë subjekt i tij. Gjatë administratës Biden, disa shtetas bullgarë të akuzuar për korrupsion në fillim të qershorit 2021 u shpallën të korruptuar nën 7031 (c), ndërsa ndaj tyre u aplikuan edhe sanksione të tjera të sjella nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) të Departamentit të Thesarit përmes Urdhërit Ekzekutiv 13818.
Deklarata e Departamentit të Shtetit të 2 qershorit tregoi ky urdhër, i cili zbatohet dhe bazohet mbi Aktin Magnitsky, shënjestroi tre oligarkë dhe 64 subjekteve në pronësi të tyre, ndërsa në të njëjtën kohë nën dispozitën 7031 (c) pesë bullgarë u shpallën si të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA për shkak të “korrupsionit domethënës”.
Si përfundim, 7031 (c) shërben si një mjet i gjithanshëm dhe efektiv i politikës së jashtme.
Sidoqoftë, nevojiten masa mbrojtëse për të parandaluar çdo keqpërdorim ose politizim të sanksioneve të përdorura nën këtë nen.
Individët duhet të kenë të drejtë të drejtojnë pyetje në lidhje me akuzat ndaj tyre gjatë procesit.
Individët duhet të kenë të drejtën të argumentojnë pse nuk duhet t’i ndalohet hyrja në SHBA.
Sapo të bëhet shpallja, duhet të ekzistojë një mekanizëm edhe hapësirë për të lejuar një ankesë nga individi drejt këtij mekanizmi.
Së fundmi, derisa të bëhet shpallja përfundimtare, procesi duhet të jetë diskret në mënyrë që të mos ketë prishje të panevojshme reputacioni.
Z. Phillips është Drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin Columbia në New York. Ai shërbeu si Këshilltar i Lartë dhe Ekspert i Punëve të Jashtme në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve, gjatë administratës së Klintonit, Bushit dhe Obamës. Z. Felsen ka doktoraturë në politikë nga Universiteti i Oksfordit dhe është lektor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin Epoka në Shqipëri