‘Së bashku, të ndarë’: maratonë virtuale, në ndihmë të familjeve të varfëra

Nga Exit News
‘Së bashku, të ndarë’: maratonë virtuale, në ndihmë të familjeve të varfëra

Kufizimet për shkak të koronavirusit nuk kanë penguar një grup atletësh të organizojnë një maratonë virtuale, për të mbledhur para për të ndihmuar familjet në nevojë në Shqipëri.

Për shkak të masave të distancimit social dhe kufizimit të lëvizjes, organizatorët e “Together, Apart Virtual 5k Fun Run” (“Së bashku, të ndarë, maratonë virtuale 5km”) vendosën të ndërmarrin një maratonë virtuale, duke përdorur platformën Zoom dhe faqen GiveButter për të mbledhur fondet.

Sarah Keese, qytetare amerikane e cila jeton në Shqipëri dhe gazetarja e Exit News Alice Taylor janë organizatoret e këtij eventi, i cili zhvillohet të shtunën 18 Prill në orën 11:00 deri 17:00.

Pjesëmarrësit mund të regjistrohen, të paguajnë një tarifë regjistrimi prej 5 dollarësh dhe të ecin/vrapojnë/ bëjnë biçikletë ose çfarëdo ushtrimi që ata zgjedhin, për të kapur distancën 5 kilometra. Pista e vrapit, makineria e varkës, ecje në dhomë ose kopësht, apo edhe vetëm ecje nëpër shtëpi, janë disa nga mënyrat për të arritur distancën e kërkuar prej 5 kilometrash.

Pas regjistrimit, secilit garues do t’i dërgohet një link dhe në ditën e garës, ata mund të zgjedhin të transmetojnë aventurën e tyre 5k, ose thjesht të shikojnë pjesëmarrës të tjerë nga e gjithë bota. Ekziston gjithashtu një seksion në faqen GiveButter ku vrapuesit mund të postojnë kohën e garimit, rrugën për të arritur distancën ose pajisjet e tyre.

Ngjarja do të zhvillohet në harkun kohor prej 6.5 orëve. Kjo do të thotë se ata që ndodhen në zona të ndryshme kohore mund të marrin pjesë. Vrapuesit mund të futen në garë sa herë që dëshirojnë dhe madje të bëjnë pushime gjatë garës. I shpejtë, i ngadaltë ose mesatar, nuk ka rëndësi pasi qëllimi i maratonës është të mbledhë njerëzit, të nxisë endorfinat e tyre dhe të mbledhë para për një kauzë shumë të rëndësishme.

Tarifat e regjistrimit do t’i dhurohen organizatës Food Bank dhe organizatave të tjera të përfshira në shpërndarjen e ushqimit për të dëmtuarit nga kriza e koronavirusit në Shqipëri.

Që kur u shpall gjendja e fatkeqësisë natyrore dhe u vendosën kufizimet e lëvizjes, shumë shqiptarë kanë humbur punën e tyre ose janë në leje të papaguar. Kështu një pjesë e madhe e popullsisë rrezikon të mos përballojë jetësën. Pa të ardhura dhe pa e ditur se kur do të kthehen në punë, shumë pyesin se si do të vazhdojnë të ushqejnë familjet e tyre.

Ata që ishin nën kufirin e mbijetësës para pandemisë, të moshuarit, punëtorët, dhe anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian janë veçanërisht në rrezik.

Keese u frymëzua për të organizuar këtë event për të kujtuar përvjetorin e vdekjes së nënës së saj. Ajo pohoi për Exit se nëna e saj ishte një vrapuese dhe gjithashtu ishte e përfshirë në punë bamirësie

“Jam e lumtur të organizoj diçka atë ditë, që e di se ajo do të pëlqente,” tha ajo.

Për tu informuar më shumë rreth maratonës, klikoni këtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>