Policia ka vënë të premten nën sekuestro ish-hotel Vollgën në qendër të Durrësit, me vendim të gjykatës.
Ajo është pjesë e procesit gjyqësor të Emiljano Shullazit, pasi aktualisht ish-hoteli është në pronësi të tij.
Ish-hotel Vollga ka patur një çështje të gjatë gjyqësore për sa i përket pronësisë. Palë të ndryshme e kanë pretenduar atë, mes të cilëve Ylvi Beqja, si administrator i një kompanie arabe, dhe Zamir Hasa, si trashëgimtar i ish-pronarëve.
Beqja thuhet se ka patur probleme me regjistrimin në hipotekë të pronësisë së Vollgës dhe për këtë ka kërkuar ndihmën e Shullazit dhe të njohurve të tij.
Në këmbim të ndërhyrjes dhe regjistrimit, Shullazit thuhet se i është premtuar 20 për qind e pronësisë, por që sipas prokurorisë, ai e kishte kërcënuar Beqajn për t’i marrë, jo 20, por 30 për qind.
Që prej vitit 2018, prokuroria nisi hetimet për këtë ngjarje, ku Shullazi akuzohej për përvetësim prone përmes kanosjes.
Për këtë çështje, nën hetim kanë qënë edhe tre gjyqtarët: Dhurata Bilo, Vladimir Skënderi dhe Ndue Gjura, të cilët u akuzuan për shpërdorim detyre pasi dyshoheshin se tjetërsuan truallin në favor të Shullazit, kjo gjatë kohës që çështja e pronësisë midis Beqajt dhe Hasës po gjykohej në Gjykatë të Lartë.
Por në shtator 2019, prokuroria e Tiranës pushoi hetimet ndaj Shullazit për këtë çështje “për shkak se nuk janë gjetur prova për të vërtetuar akuzat”.
Gjykata e Tiranës e pranoi kërkesën e Prokurorisë për të pushuar çështjen.
Shullazi dhe pjestarë të tjerë të bandës së tij janë ende në burg, pasi po gjykohen në Gjykatën Speciale të Apelit dhe për akuza të tjera.