Dje, Senati i SHBA-ve i ka kthyer mbrapsht Presidentit Trump emërimin e Kathleen Ann Kavalecit si Ambasadore e SHBA-ve në Tiranë.
Kthimi u bë në ditën e fundit të Legjislaturës së 115-të të Kongresit Amerikan, një ditë para fillimit të punës së Kongresit të 116-të.
Në fund të çdo legjislature, Senati është i detyruar me ligj t’i kthejë Presidentit të gjitha kandidaturat e propozuara prej tij për poste në administratë, të cilat nuk u konfirmuan nga Senati gjatë legjislaturës në mbarim.
Presidenti ka të drejtë t’i ripropozojë ose jo emërimet e tij dhe në rastin e Kavalecit kjo gjë do të mësohet në javët e ardhshme.
Kathleen Ann Kavalec u propozua për Ambasadore e SHBA-ve në Tiranë nga Presidenti Trump më 9 korrik 2018. Fillimisht, Komisioni i Jashtëm i Senatit e planifikoi dëgjesën me të në muajin gusht 2018, por dëgjesa u anulua dhe nuk u ricaktua më brenda legjislaturës që mbaroi më 3 janar 2019.
Arsyeja e anullimit ishte kërkesa e disa senatorëve të Komitetit të Jashtëm për më shumë infomacion mbi kandidaten Kavalec, pasi emri i saj ishte përfshirë në listën e personave që Komisioni i Inteligjencës i Kongresit dëshironte të pyeste në lidhje me përfshirjen e Departamentit të Shtetit në hartimin e dosjes Steele kundër ish-kandidatit presidencial Trump.
Komisioni i Inteligjencës i Kongresit filloi hetime mbi mënyrën e hartimit të dosjes së përgatitur nga ish-agjenti britanik Christopher Steele, i cili hodhi akuza për lidhje midis Fushatës Trump dhe Rusisë, pasi u mësua se Steele ishte paguar nga fushata e Hillari Klintonit për të dëmtuar kandidaturën e Trumpit përmes hartimit të kësaj dosjeje.
Mediat amerikane kishin zbuluar se, ndër të tjera, Kathleen Ann Kavalec, shefja e saj Victoria Nuland, të dyja funksionare të Departamentit të Shtetit, dhe Jonathan Winer, këshilltar i Xhon Kerrit në Departamentin e Shtetit, kishin komunikuar me Christopher Steele dhe kishin ofruar informacione për personat që kërkuan hapjen e hetimeve federale kundër Trump në bazë të dosjes Steele.