Serbia e ka intensifikuar bashkëpunimin me kompaninë kineze të teknologjisë Huawei, përmes hapjes së Qendrës për Zhvillim dhe Inovacion në Beograd më 14 shtator.
Hapja e saj, ndodhi dhjetë ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes në Uashington, nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në bazë të së cilës, ndalohet përdorimi i rrjetit 5G, i siguruar nga shitës jo të bësueshëm.
Edhe pse Huawei nuk përmendet në marrëveshje, është pikërisht kjo kompani kineze që gjenden nën vëzhgimin e Shteteve të Bashkuara.
Uashingtoni po i nxit aleatët e vet që të shmangin këtë kompani, pasi zyrtarët amerikanë besojnë se qeveria kineze mund të përdorë teknologjinë e saj për të spiunuar vendet perëndimore.
“Marrëveshja nuk e ka dekurajuar shumë Serbinë nga bashkëpunimi i vazhdueshëm me Huawein” i tha Radios Evropa e Lirë, Stefan Vlladisavljev, një bashkëpunëtor në programin e Fondit të Beogradit për Përsosmëri Politike (BFPI).
Ai është njëri nga autorët e një botimi mbi bashkëpunimin e Kinës me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Sipas marrëveshjes, të firmosur në ShBA, Kosova dhe Serbia “do të ndalojnë përdorimin e rrjetit 5G brenda infrastrukturës së tyre, nga klientë jo të besueshëm”.
Marrëveshja gjithashtu thotë se të dyja palët, marrin përsipër, të heqin pajisjet e tilla në kohën e duhur dhe të ndërmarrin hapa të tjerë të nevojshëm atje ku tashmë ato janë të pranishme.
Botuar në Radio Evropa e Lirë.