Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave, FDA do të përditësojë autorizimin e saj të përdorimit urgjent të dozës së tretë për vaksinat e koronavirusit Pfizer dhe Moderna për njerëzit me imunitet të dëmtuar, tha një burim i njohur me çështjen për gazetën amerikane Axios.
Të dhënat sugjerojnë që njerëzit me sistem imunitar të dobësuar nuk krijojnë nivele mjaft të forta mbrojtjeje kundër virusit me vetëm dy doza, por një dozë e tretë mund të ndihmojë ndjeshëm.
Shkencëtarët kanë debatuar se kush duhet të marrë injeksione përforcuese dhe kur, pasi varianti shumë ngjitës Delta po rrit numrin e rasteve të reja në të gjithë vendin.
Rreth 2.7% e të rriturve amerikanë janë të imunokompromentuar, një grup që përfshin njerëz që janë duke u nënshtruar trajtimit të kancerit, që jetojnë me HIV, ose kanë kryer transplant të organeve, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Më shumë se 1 milion njerëz në SHBA kanë marrë injeksione të paautorizuara përforcuese të vaksinave Moderna ose Pfizer sipas një dokumenti të brendshëm informues të CDC të marrë nga ABC News.
Në korrik, Komiteti Këshillimor për Praktikat e Imunizimit (ACIP) në Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve bëri thirrje për doza shtesë për njerëzit me imunitet të komprometuar, sipas NBC News.
Në korrik, Izraeli u bë vendi i parë që ofroi doza përforcuese për njerëzit me imunitet të dëmtuar dhe të moshuarit.
Gjermania dhe Britania e Madhe gjithashtu kanë njoftuar se planifikojnë të ofrojnë përforcues duke filluar nga shtatori.
Por, Organizata Botërore e Shëndetit ka bërë thirrje për një moratorium mbi dozat përforcuese deri të paktën në shtator për të lejuar që vendet më të varfra të kenë qasje në doza.