Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të gatshëm së shpejti të mbrojnë amerikanët dhe koreanoveriorët nga një sulm me raketa bërthamore nga Koreja e Veriut.
Kreu i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane Joseph Dunford ka deklaruar se po punon për zgjedhje të mundshme ndaj kërcënimit të raketave të Koresë së Veriut.
Gjatë një deklarate për shtyp, gjenerali Dunford ka thënë se “një zgjidhje ushtarake ndaj raketave të Koresë së Veriut është e tmerrshme, por të lësh të lirë Korenë teksa përparon me planet për sulme bërthamore ndaj SHBA-ve është diçka e paimagjinueshme.”
Sipas gjeneralit, puna për gjetjen e një opsioni ushtarak të besueshëm kundër këtyre raketave të liderit Korean Kim Jong Un ishte kërkesë e Presidentit Trump.
Gjithsesi Dunford u shpreh se ende shpreson që presioni diplomatik dhe ai ekonomik do ta detyrojë diktatorin Kim Jong Un të frenojë programet për armët bërthamore.
“Dimensioni ushtarak është në mbështetje të përpjekjeve diplomatike dhe ekonomike. Ne jemi duke kërkuar një zgjidhje paqësore për krizën”, u tha Dunford gazetarëve pas takimit me presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in në Seul.
Deklaratat e kreut të Shtabit të Përgjithshëm vijnë pas rritjes së tensionit mes koreano-veriorëve dhe presidentit amerikan Trump.
Presidenti Trump ka paralajmëruar se SHBA është gati t’i përgjigjet me “zjarr” Koresë së Veriut nëse vazhdon të kërcënojë Amerikën apo paqen në gadishullin Korean, si dhe gjithë rendin global.
Koreja e Veriut nga ana e saj, ka deklaruar se do të vazhdojë me testimin e të paktën katër raketave bërthamore. Vendimi I Kim Jong Un erdhi si përgjigje ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që ndalon eksportet koreano-veriore dhe kufizon investimet në vendin e izoluar komuist.