SHBA-të do të dërgojnë 6000 trupa shtesë në Afganistan për të mundësuar largimin e sigurtë të diplomatëve, punonjësve local të vendeve të huaja, dhe afganët që janë në rrezik nga talibanët.
Në një deklaratë të përbashkët të Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Mbrojtjes për Afganistanin, botuar në faqen e DASH, më 16 gusht, shkruhet se:
“Aktualisht ne jemi duke ndërmarrë një seri hapash për të siguruar Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai, për të mundësuar largimin e sigurt të personelit amerikan dhe aleatëve nga Afganistani nëpërmjet fluturimeve civile dhe ushtarake.
Gjatë 48 orëve të ardhshme, 6,000 trupa do të mbërrijnë atje, me një mision të fokusuar vetëm në lehtësimin e këtyre përpjekjeve dhe do të marrë kontrollin e trafikut ajror.
Nesër (16 gusht) dhe gjatë ditëve të ardhshme, ne do të transferojmë jashtë vendit mijëra qytetarë amerikanë që kanë qenë rezidentë në Afganistan, si dhe punonjës afganë të punësuar pranëmisionit amerikan në Kabul dhe familjet e tyre dhe shtetas të tjerë veçanërisht të cenueshëm afganë.
Dhe ne do të përshpejtojmë evakuimin e mijëra afganëve që kanë të drejtë për Vizat Speciale të Emigracionit në SHBA, gati 2,000 prej të cilëve tashmë kanë mbërritur në Shtetet e Bashkuara gjatë dy javëve të fundit.
Për të gjitha kategoritë, afganët që kanë kaluar kontrollin e sigurisë do të vazhdojnë të transferohen drejt e në Shtetet e Bashkuara. Dhe ne do të gjejmë vende shtesë për të dërguar përkohësisht ata në pritje të kontrollit të sigurisë”.
Pas 20 viteve SHBA-të u larguan nga Afganistani, i cili brenda 2 javëve u pushtua nga talibanët.