ShBA-të do të vazhdojnë të shpallin non-grata udhëheqësit apo ish-udhêheqësit e rajonit. Kështu u shpreh Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës, të shtunën.
Për shpalljen non- grata të ish-kryeministrit Sali Berisha, Escobar u shpreh se:
“Ka disa arsye, e para, kemi kompetenca të reja. Pastaj, gjatë asaj periudhe, duhej bërë hulumtimi dhe duhej të siguroheshim, që jemi në gjendje të bëjmë përpunimin e informacionit”.
Ai u shpreh se po bashkëpunojnë me Shqipërinë në fushën e drejtësisë por nuk komentoi “për ndonjë procedurë të veçantë ligjore, por ne kemi partneritet të mirë me Shqipërinë”.
Escobar nuk komentoi as raportin e DASH për korrupsionin qeveritar në vend. Ai u shpreh vetëm se:
“Do të shihni përcaktime të tjera për të gjithë rajonin. Nuk mund të komentoj për raste të veçanta. Por ne synojmë t’i përdorim kompetencat, për qëllimin që ato u krijuan”.
I pyetur nëse do të takohet me Milorad Dodik, me të cilin zyrtarët amerikan kanë vazhduar të ruajnë kontakte pavarësisht përcaktimit në vitin 2017, ai tha se do ta takonte nëse Dodik do të ndalte bojkotin ndaj institucioneve qëndrore në Bosnje.