Najada Çomo i bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, sepse përhapja e Covid-19 nuk ulet me rritjen e temperaturës.
“Nuk ulet transmetueshmëria e virusit gjatë verës. Madje në temperatura të larta pacientën kanë më shumë vështirësi sesa në temperaurat që kishim gjatë 3 muajve të parë.
Një pacient i ftohur ka më shumë vështirësi në temperatura 40 gradë. Edhe miti që COVID-19 kalohet lehtë në këtë periudhë, nuk është i vërtetë”, tha doktoresha Çomo në një intervistë për Open, në Top Chanel, të hënën.
Ajo theksoi se “Covid-19 është një realitet në Shqipëri. Ishte një realitet dhe është një realitet”, duke i kujtuar të gjithëve se “hapja nuk do të thotë që ju të rrezikoni jetën e tjetrit”. Doktoresha sqaroi se virusi është i paparashikueshëm, duke treguar se:
“Kjo është sëmundja më e tmerrshme që unë kam parë në historinë e punës time. Kjo sëmundje ka shumë të papritura. Mendon se ke vendosur në rregull çdo gjë dhe për një orë ndryshon gjithçka. Gjendja e të infektuarve ndryshon krejt papritur”.
Ajo, gjithashtu tregoi se momenti më i vështirë është “të njoftojë familjarët për pacientët që humbnin jetën. Unë i kam dhënë të gjitha njoftimet. Ishte shumë e vështirë. Shumë herë kam derdhur lotë me kolegët për humbjen e jetëve të këtyre personave”.