Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino është shëruar nga Covid-19, pas dy javësh shtruar në spitalin infektiv.
Lajmin për shërimin e Binos e dha ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, duke ndarë në Facebook një foto të Binos dhe mjekes Najada Çomo.
“Më gëzoi pa masë lajmi i shërimit të prof. Silva Binos, gruas së fortë dhe profesionistes së rrallë, e cila sapo ka lënë spitalin infektiv, pas dy javësh të vështira nën kujdesin e prof. Najadës dhe kolegëve të saj në spitalin Covid1,” shkroi Manastirliu.
Prof. Silva Bino është dhe pjesë e grupit të ekspertëve të ngritur për përballimin e pandemisë së Covid-19 në vend.
Ajo ka qenë e angazhuar në luftën kundër virusit që kur në vend nuk kishte ende asnjë rast pozitiv dhe ishte një nga zyrtaret që ka komunikuar në mënyrë të vazhdueshme me median dhe qytetarët për situatën dhe ndërgjegjesimin lidhur me epideminë.