Ish-deputeti demokrat Agron Shehaj denoncoi të enjten mbylljen e skandalit të korrupsionit në Unazën e Madhe me vetëm një të dënuar: një të ri, i cili u përdor nga politikanët e korruptuar për grabitjen.
Shehaj ishte i pari që denoncoi, në vitin 2018, skandalin me tenderin e Unazës së Madhe dhe kompanisë guackë DH Albania dhe publikoi dokumentet zyrtare që vërtetonin se kompani ishte guackë dhe po përdorej për të përfituar 40 milionë euro.
Sot pas dy vitesh hetime, asnjë prej zyrtarëve të lartë që përzgjodhën dhe firmosën kontratën me DH Albanian, nuk janë vënë përpara përgjegjësisë.
Në një postim në Facebook, Shehaj shkruan:
“Dy vjet më pas, Damian Gjiknuri është ‘udhëheqës reformator’ që drejton Shqipërinë drejt të ardhmes. Drejtori i Rrugëve, Qendro sapo u bë nënkryetar i Bashkisë Vlorë.
Drejtësia e korruptuar e dalë nga reforma në drejtësi dënoi vetëm kamarierin 23 vjeçar i cili ishte përdorur nga politikanët e korruptuar për grabitjen. Nuk dënuan askënd tjetër.”
Ish-deputeti theksoi se në një vend ku krimineli shpërblehet dhe ku në krye janë hajdutët e kriminelët, ‘nuk ka të ardhme’. Ai i bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen ‘kundër politikanëve të korruptuar dhe drejtësisë së krimit.’
Gjykata e Tiranës, në janar 2020, mbylli hetimet për tenderat e fituara me falsifikime nga kompania fantazmë DH Albania. Në gjyq nuk përfundoi asnjë zyrtar i ARRSH-së, OST-së apo Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), të cilët ishin përgjegjëse për verifikimin e dokumenteve, por vetëm administratori i kompanisë DH Albania, Avdjol Dobi, një 26 vjeçar.
Prokuroria ka deklaruar nuk kishte gjetur asnjë prove që t’i lidhte zyrtarët e lartë me falsifikimet dhe korrupsionin.