5 mjekë dhe infermierë janë shëruar sot nga Covid-19, duke e çuar në total në 27 numrin e personelit mjekësor të shëruar, ose rreth 65 për qind.
Lajmin e konfirmoi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila sqaroi se të shëruarit janë një mjeke dhe katër infermierë.
Që prej 9 marsit, ku u identifikuan personat e parë me Covid-19 në Shqipëri, 41 mjekë dhe infermierë janë prekur.
Kjo kategori përbën rreth 10 për qind të totalit të personave të prekur, që sot arriti në 400.
Sipas të dhënave të ISHP-së, 38 prej tyre janë në Tiranë, ndërsa në Durrës, Korçë dhe Lushnje ka pasur nga një mjek të sëmurë.
Kryesisht mjekët e infermierët janë prekur nga pacientë me Covid-19, të shtruar në spitalet ku ata punojnë. Në disa raste si në spitalin e Durrësit dhe në spitalin Shefqet Ndroqi në Tiranë, pacientët fshehën historinë e udhëtimit në Itali, duke vënë në rrezik jetën e mjekëve.