Një sirian u plagos, të shtunën në darkë, pas një sherri me thika, me disa sirianë të tjerë. Ngjarja ndodhi tek Ura e Dajlanit, në Durrës.
Personi i plagosur ndodhet pa ndjenja në spitalin e Durrësit. Policia raporton se ai ka marrë disa plagë në qafë.
Gjatë vitit të fundit në Shqipëri kanë hyrë qindra refugjatë sirianë, të ardhur në rrugë tokësore me qëllim kalimin në Evropën perëndimore.
Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit (DKM) në periudhën janar-shkurt 2020, të paktën 315 persona kanë tentuar të hyjnë ilegalisht në Shqipëri përmes pikës kufitare të Kakavijës, por janë kapur nga policia. 40 prej tyre kanë qenë nga Siria, Pakistani dhe Algjeria.
Mbi 10 mijë emigrantë ilegalë janë ndaluar të hyjnë në Shqipëri, gjatë vitit 2019, sipas të dhënave zyrtare të DKM-së. Ky numër është 2 herë më i lartë krahasuar me vitin 2018, kur 5 mijë emigrant ilegalë u kapën teksa tentonin të hynin në Shqipëri.