Dhjetra pronar biznesesh dolën në rrugë të shtunën në Napoli, duke tundur të brendshme femrash, për të protestuar kundër mbylljes së zgjatur të bizneseve, raporton The Guardian.
Veshjet e brendshme janë bërë simbol i protestave kundër masave antiCovid në Napoli pasi konsiderohen artikull thelbësor dhe dyqanet që i ofrojnë, mund të qëndrojnë hapur.
Të shumtë ishin ata që filluan të shesin të brendshme për këtë shkak.
Carla della Corte, kreu i Confcommercio tha për mediat lokale se “kanë familje për të ushqyer, qira për të paguar dhe staf për të mbështetur.”
“Shitja e të mbathurave është një mënyrë për të mbijetuar,” shtoi ajo.
Campania është një nga rajonet e “zonës së kuqe” në Itali, ku mbyllja, përveç shërbimeve bazë, u zgjat për një tjetër javë.
Blerësit formuan një zinxhir njerëzor, duke tundur të brendshmet dhe duke mbajtur pankarta me fjalët “Nuk mund të paguajmë më qira dhe fatura” dhe “Shteti na ka harruar“.
Sipas gazetës lokale Il Mattino, rreth 150 dyqanxhinj morën pjesë në tubim.